Subjektet politike të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të tërheqin sot në ora 11:00 numrat e tyre për renditje në fletëvotimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Ju njoftoj se shorti për renditjen e subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të mbahet ditën e hënë, më 6 janar 2025, duke filluar prej orës 11:00”, ka njoftuar Elezi.
Sipas Elezit “tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, do të bëhet duke krijuar kushte të barabarta për të gjitha subjektet politike dhe trasparencë të plotë”.
Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim i paraprinë disa aktiviteteve të rëndësishme zgjedhore, siç është miratimi i përmbajtjes së dizajnit dhe fletëvotimit të zgjedhjeve.
Pasi KQZ të miratojë fletëvotimin e zgjedhjeve, më 9 janar do të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës, ndërkaq më 11 janar subjektet politike do të fillojnë zyrtarisht fushatën zgjedhore.