Sot vazhdon seanca e rregullt e Kuvendit të Kosovës, e cila ishte ndërpre një ditë më parë për shkak të mungesës së kuorumit.
Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se seanca do të vazhdojë të premten në orën 11:00, ndërsa ka kërkuar nga deputetet që të jenë të pranishëm në Kuvend, pasi do të ketë disa votime, për të cilat nuk u arrit të votoheshin sot në mungesë të deputetëve.
Gjithashtu, sot, për shkak të mungesës së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, interpelanca lidhur me vendimin për ngritjen e pagave për anëtarët e kabinetit është shtyrë për një seancë tjetër.
Interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ishte paraparë sipas kërkesës së GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe GP të Lëvizjes Vetëvendosjes lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të anëtarëve të Kabinetit qeveritar, vendimin për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës, si dhe vendimi për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale. /Telegrafi/