Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të votojë rekomandimin për Këshillin Ministror për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
Një votim i suksesshëm do të hapte rrugën për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta kishte më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit.
E një ditë para kësaj ngjarje , Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës akuzoi kryekëput Serbinë se po zhvillon “propagandë dhe fushatë” kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, që “është jashtëzakonisht e egër”.
“Shprehim bindjen tonë se shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, vendimin e tyre do ta marrin jo bazuar në këtë propagandë, por bazuar në kriteret dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Këshilli i Evropës”, ka shkruar Gërvalla.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022.