Dhomat e Specializuara të Hagës kanë bërë të ditur se më 14 qershor Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Në një konferencë për media, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep, Trupi Gjykues konstatoi për të dy të akuzuarit ekziston ende rreziku që të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor ose të kryejnë krime të tjera.
“Në vendimet e tyre, gjykatësit theksuan se emrat dhe të dhënat personale të disa prej dëshmitarëve tejet të cenueshëm do të vazhdojnë t’i jepen Mbrojtjes dhe me to do të njihen edhe të akuzuarit, dhe se lirimi i një të akuzuari që ka dijeni për informacion të ndjeshëm nuk do të ndihmonte mbrojtjen efikase të dëshmitarëve që ende nuk kanë dhënë dëshmi”.
“Në këtë drejtim, Trupi Gjykues rikujtoi edhe konstatimet e veta të mëhershme se duket që të akuzuarit u kanë dhënë vizitorëve informacion lidhur me dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur dhe, në rastin e z. Thaçi, ai përcolli udhëzime për një dëshmitar të ardhshëm lidhur me formën dhe përmbajtjen e dëshmisë që do të jepte”, ka thënë Griep.