Opinion mga Valon Rashiti:
Nga paniku pasi dështoi t’i vërtetojë akuzat qesharake për trafikim organesh në një kohë kur njerëzit vdisnin nga mungesa e mjekëve gjatë luftës në Kosovë, Gjykata Speciale ka ngritur akuzë të re ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Si për ironi, akuza për vepra penale që lidhen me pengim të drejtësisë u publikua vetëm pak ditë pasi përmes një letre drejtuar gjyqtarëve në Hagë, avokatët i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar për krime lufte, kanë kërkuar nga gjyqtarët që të mos ia mbajnë anën Prokurorisë.
Aktakuza ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit për kinse për pengim të drejtësisë, ka për qëllim që ta justifikojnë Specialen e cila ka dështuar dhe e cila është në raport të disfavorshëm më palën mbrojtëse. Si një “rast i madh” si ky pa prova kredibile materiale e i bazuar vetëm në dëshmi të lëkundshme e të fabrikuara, është e natyrshme që Specialja po e vëren dështimin.
Gabimi u bë krejt në fillim të procesit, fillimisht u arrestuan ish-krerët e UÇK-së e u mbajtën një kohë të gjatë në paraburgim pa filluar gjykimi, më pas zyrtarët e Speciales bën gjithçka për të siguruar dëshmi, kryesisht nga Serbia, për çka tani më edhe dihet publikisht.
Kjo e bën procesin të pabesueshëm dhe jo profesional. Me ngritjen e akuzës për ish-krerët e UÇK-së dhe paraburgosjen e tyre veçse është dëshmuar ajo që në fakt dihej që nga fillimi që Specialja është një institucion politik dhe që nuk e kishte për qëllim as për mision vënien e drejtësisë në vend, por pati për qëllim dhe mision diskreditimin e UÇK-së dhe balancimin e kriminelit dhe viktimës.
Gjykata Speciale ndonëse në letër është gjykatë e Kosovës, ajo funksionon si një “ishull” brenda sistemit të drejtësisë, ngase e njëjta nuk i jep llogari askujt, madje as publikut. Kjo gjykatë përveçse e pa drejtë edhe procesi që po zhvillohet në të, është duke u shoqëruar me mangësi të shumta.
Këto parregullsi, do të mund të ‘justifikoheshin’ vetëm me një verdikt përkatësisht aktgjykim lirues për ish-krerët e UÇK-së, i cili do të ishte epilog real dhe i pritshëm. Por, ndryshe nga mësymja e Speciales për t’i prangosur të gjithë ata që po “e pengojnë drejtësinë”, ende nuk dihet se kush ua vodhi dosjet të cilat u dërguan nga persona ende të panjohur tek zyrat e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në shtatorin e vitit 2020 organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës filloi të mbajë seanca të jashtëzakonshme për media. Ata pritën mediat në selinë e tyre me një mal me dokumente në tavolinë.
Kur konferenca filloi treguan se dikush, ende i panjohur për ta, po u sjell dosje, të cilat pasi i kanë shfletuar kanë kuptuar se mund të jenë të Gjykatës Speciale. Për këtë veprim – se ua prezantuan mediave dokumentet e rrjedhura nga Specialja – Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, kryetari dhe zëvendës-kryetari i OVL-së, janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim.
Por, kur kanë kaluar gati katër vjet, askush s’u dënua nga Gjykata Speciale për rrjedhje të informacioneve. E sipas organizatave që e monitorojnë punën e Speciales, procesi gjyqësor është karakterizuar me lëshime dhe të meta të shumta, për çka ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte njoftuar se është duke punuar për ta themeluar një mekanizëm që do ta monitoronte punën e Speciales.
Megjithatë, kur kanë mbetur edhe pak muaj deri në fund të mandatit të kësaj Qeverie, kjo ide ka mbetur vetëm në letër, teksa kryeministri Albin Kurti i ka shpeshtuar kritikat për sistemin e drejtësisë në Kosovë, por nuk e tha asnjë fjalë për zhvillimet e fundit në Speciale.
Përkundër të gjitha vërejtjeve në proces, zhbërja e kësaj gjykate të cilin e përmendi Duat Haradinaj nga AAK, nuk është zgjidhja as nuk duhet të insistohet për këtë, por pres të ketë përshpejtim të procedurës dhe përfundim sa më të shpejtë e konfirmim të luftës dhe pastërtisë së saj. Sikur kanë rënë akuzat për trafikim me qenie njerëzore, një akuzë utopike e jashtë sensit logjik, gradualisht jam i bindur që do të bien edhe akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminale./Albanianpost/