Gjykata Speciale nuk e ka pranuar kërkesën e avokatëve për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka vendosur që veç e veç, të gjithë të të akuzuarve t’ua refuzojë kërkesat për lirim të përkohshëm me kusht, përcjellë Klan Kosova.
Në parashtresat e kryeprokurorit special, Jack Smith, janë renditur argumentet se pse ish-krerët e UÇK-së, sipas organit të akuzës, duhet të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim.
Prokuroria ka përmendur edhe mundësinë e dënimit të disa prej tyre me burgim të përjetshëm, si një prej arsyeve se pse sipas tyre ata nuk duhet të lirohen as përkohësisht.
Smith në të gjitha parashtresat ka pretenduar se ekziston rreziku që ish-pjesëtarët e UÇK-së të arratisen, të ndikojnë në dëshmitarë ose ta kryejnë ndonjë krim.
Tutje organi i akuzës në Hagë ka pretenduar se kriteret për t’i mbajtur në paraburgim ish-krerët e UÇK-së janë përmbushur dhe se këto kritere “nënvizojnë seriozitetin e rreziqeve të paraqitura”. Sipas Prokurorisë, “asnjë masë alternative nuk adreson sa duhet këto rreziqe”.
Prokuroria në parashtresat kundër të akuzuarve po ashtu thekson pretendimin e saj se ekziston një klimë e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë, të cilët thuhet se ish-krerët e UÇK-së kanë mundësi që t’i heshtin.
ZPS është ankuar se si organ i akuzës nuk kanë burime për t’i mbikëqyrur ish-krerët e UÇK-së nëse ata do të liroheshin përkohësisht.
Është përmendur edhe mandati i EULEX-it, ndërsa kryeprokurori Smith ka konsideruar se “autoritetet e Kosovës janë të kufizuara në aftësinë e tyre për ta mbikëqyrur një të akuzuar”.