Gjykata Speciale me seli në Hagë ua ka vazhduar paraburgimin ish-krerëve të UÇK-së, Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit.
Kjo konfirmohet në parashtrimet që janë bërë publike në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.
Vendimi nga trupi gjykues është marrë më 15 shkurt, pra dy ditë para përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Gjyqtarët megjithatë, e kanë kritikuar Prokurorinë që po përmend vazhdimisht argumente të njëjta për vazhdimin e paraburgimit. Madje, edhe ato që janë rrëzuar nëpër vendimet e kaluara.
Rasti është lidhur me rrezikun e ikjes, argument të cilin trupi gjykues e ka rrëzuar disa herë me radhë.
“Në lidhje me këtë, Kolegji rikujton konstatimin e Kolegjit të Gjykatës së Apelit se nga gjyqtari i procedurës paraprake nuk duhet të pritet që të shqyrtojë parashtresat që thjesht përsërisin argumentet që tashmë janë trajtuar në vendimet e mëparshme të rishikimit. Paneli konsideron se ky parim zbatohet në mënyrë të barabartë në fazën aktuale të procedurës, dhe nuk ka gjetur ndonjë faktor shtesë mjaftueshëm bindës për të ndikuar në gjetjen e tij të mëparshme në lidhje me rrezikun e ikjes”, thuhet në vendim.
Në mesin e arsyeve që ka vlerësuar trupi gjykues për vazhdimin e paraburgimit është rreziku i ndikimit në dëshmitarë, shkatërrimit të provave.
“Z. Veseli vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në Kosovë në bazë të pozitave të mëparshme që ka zënë, gjë që do të vazhdonte t’i lejonte atij, për shembull, të aksesojë informacione ose të nxisë mbështetjen e të tjerëve; (iii) derisa z. Veseli ishte në krye të Shërbimit Informativ të Kosovës (“SHIK”), anëtarët e SHIK-ut ishin përfshirë në ndërhyrjen e dëshmitarëve; dhe (iv) avancimi i procedurës gjyqësore ofron një mundësi për z. Veseli që të ketë njohuri mbi provat që mbështesin akuzat e rënda kundër tij”, thuhet në vendim.
“Në dritën e vazhdimit të procedurave gjyqësore, emrat dhe detajet personale të disa dëshmitarëve shumë të ndjeshëm tani janë – dhe do të vazhdojnë të jenë – të zbuluara për Mbrojtjen, dhe për këtë arsye do të bëhen të njohura për një gamë më të gjerë njerëzish, duke përfshirë të Akuzuarit. Kjo, nga ana tjetër, rrit rrezikun që informacionet delikate që kanë të bëjnë me dëshmitarët të bëhen të njohura për publikun përpara se dëshmitarët në fjalë të japin dëshmi. Në këtë kontekst, lirimi i një të akuzuari me informacione të ndjeshme në posedim të tij nuk do të ishte i favorshëm për mbrojtjen efektive të dëshmitarëve që ende nuk do të dëshmojnë”, theksohet më tutje në vendim.
Sipas vendimit të Gjykatës, asnjë masë tjetër nuk do ta zbuste rrezikun e dëmtimit të proesit/
“Lidhur me rrezikun e pengimit të progresit të procedurave të GjD-së dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme, Paneli mban qëndrimin e tij se asnjë nga masat e parapara në nenin 41(12) nuk mund të zbuste mjaftueshëm rreziqet ekzistuese. 45 Për më tepër, Paneli konstaton se masat e vendosura në objektet e paraburgimit të KS, të konsideruara si një e tërë, ofrojnë garanci të forta kundër vizitave dhe komunikimeve të pamonitoruara me anëtarët e familjes dhe vizitorët e aprovuar paraprakisht me qëllim të minimizimit të rreziqeve të pengimit dhe kryerjes së krime të mëtejshme. 46 Për më tepër, ato ofrojnë një mjedis të kontrolluar ku një shkelje e mundshme e konfidencialitetit mund të identifikohet dhe/ose parandalohet më lehtë”, thotë vendimi.
Juristë e organizata të ndryshme kanë pasur kritika se si për më shumë se 3 vjet, krerëve të UÇK-së u janë refuzuar të gjitha mundësitë për lirim nga paraburgimi.