Me rritjen e numrit të rasteve të infektuara me COVID-19, ka filluar të rritur numri i pacientëve të hospitalizuar në Institucionet Publike Shëndetësore në vend. Kësisoj, përsëri ka filluar të shqyrtohet mundësia e ndërprerjes së disa shërbimeve shëndetësore.
29 pacientë më shumë se të marten janë të shtrirë sot në spitalet rajonale dhe në 5 nga klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ku po trajtohen pacientë të infektuar me COVID-19.
Drejtorë të spitaleve rajonale kanë treguar për Express se numri i të hospitalizuarve me koronavirus është rritur ditëve të fundit.
Derisa tashmë ka filluar të shqyrtohet mundësia që të ndërprehen disa shërbime shëndetësore për shkak të rritjes së numrit të pacientëve të hospitalizuar me COVID-19.
Drejtori i Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri, ka treguar për Express se së fundmi ka pasur rritje të numrit të pacientëve të hospitalizuar me koronavirus në këtë spital.
Ai ka thënë se janë në diskutim me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për t’i mbyllur disa shërbime, në mënyrë që të krijohen vende të lira për pacientët me COVID-19.
“Ka rritje të pacientëve me COVID-19, andaj ne jemi në diskutim me QKUK’në për t’i mbyllur disa shërbime në mënyrë që të krijohen vende të lira në spital”, ka thënë ai.
Zeqiri ka deklaruar se për shkak të rritjes së numrit të pacientëve të infektuar me koronavirus, mund të ndërprehen shërbimet specialistike dhe pastaj ato kirurgjike.
“Ka rritje të pacientëve me COVID-19 por edhe të atyre që kërkojnë shërbime tjera në spital. Për këtë mund të mbyllen shërbimet specialistike pastaj edhe ato kirurgjikale. Kjo varet nga rritja e numrit të pacientëve”, ka shtuar ai.
Përndryshe edhe drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullau e ka pohuar se ka rritje të numrit të pacientëve me COVID-19 në këtë spital.
Ai ka thënë se për momentin nuk kanë ndërprerë asnjë shërbim shëndetësorë, por që nëse është e nevojshme, do t’i ndërprejnë disa shërbime.
“Po ka rritje të numrit të pacientëve, por ne nuk kemi ndërprerë shërbimet. Edhe shërbimet tjera elektive i patëm filluar. Njëherë po e vlerësojmë situatën dhe nëse është e nevojshme duhet t’i ndërprejmë ato”, ka thënë Hajrullahu.
Nga spitali i Pejës i kanë thënë gazetës se nuk kanë bërë asnjë kërkesë për reduktimin e shërbimeve dhe se do të veprojnë sipas udhëzimeve të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës(ShSKUK)
Në anë tjetër nga ShSKUK’ja nuk kanë dhënë informacione nëse është duke u shqyrtuar mundësia që disa shërbime shëndetësore të mos ofrohen përsëri.
Nga ky shërbim kanë thënë se për momentin janë duke u ofruar të gjitha shërbimet.
Ndërsa, në raportet që ka siguruar Express nga SHKSKUK’ja, është parë një rritje e numrit të pacientëve të hospitalizuar në dy ditët e fundit.
29 pacientë më shumë janë të shtrirë sot në 5 nga klinikat e QKUK’së ku po trajtohen pacientët me koronavirus dhe në spitalet rajonale.
Gjithsej në këto institucione janë të shtrirë 573 pacientë.
Gjatë ditës së djeshme kanë qenë të hospitalizuar 575 pacientë, 9 prej të cilëve ishin në respiratorë, 24 në ventilim mekanik joinvaziv dhe 397 me oksigjen.
Kujtojmë që për shkak të situatës me pandeminë, më 11 nëntor të vitit të kaluar, Komiteti për menaxhim të situatës me COVID-19, në ShSKUK kishte marrë vendim që në institucionet publike shëndetësore të ofrohen vetëm shërbime për rastet emergjente.
Tek më 5 janar të këtij viti ishte vendosur që të fillojë ofrimi i këtyre shërbimeve./GE/