Ministria e Shëndetësisë nuk po ia del t’i mbulojë të gjitha kërkesat e pacientëve për barna nga lista esenciale, si dhe për material shpenzues. Edhe pse ditë më parë është rritur furnizimi me barna në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), spitalet e përgjithshme vazhdojnë të kenë mungesa të produkteve medicinale, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Spitalet e përgjithshme po ballafaqohen me mungesa të barnave nga lista esenciale, si dhe me material shpenzues. Gjatë këtij viti furnizimi me barna dhe me material shpenzues ka qenë nën 30% dhe kjo gjë u ka kushtuar pacientëve, të cilët kanë mbajtur barrën e shpenzimeve për të gjitha produktet medicinale që u janë nevojitur për trajtim mjekësor.
Edhe pse muajin që lamë pas Ministria ka furnizuar QKUK-në dhe spitalet e përgjithshme me barna nga lista esenciale, ato përsëri nuk po i përmbushin të gjitha kërkesat e pacientëve.
Drejtori i Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj, ka thënë se furnizimi me barna nga lista esenciale nga tremujori i parë i këtij viti e deri më 7 qershor në këtë spital ka qenë 29,47%. Ndërsa furnizimi deri më 27 qershor në këtë spital ka qenë 30,20%. Sipas statistikave, furnizimi me barna ka qenë 46,05%, ndërsa furnizimi me material shpenzues 18,74%.
Në gjendje të njëjtë këtë vit ka qenë edhe Spitali i Gjakovës. Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë se muajve paraprakë furnizimi me barna ka qenë nën 30%, ndërsa siç ka thënë ai, në muajin qershor furnizimi ka arritur në 80%. “Furnizimi me barna në Spitalin e Gjakovës për muajin qershor është 80%, me material shpenzues 75%, ndërsa mungojnë disa artikuj të cilët janë në procedura në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH). Kjo është për muajin qershor sepse po shihet një sinjal i mirë sepse në muajt paraprakë ka qenë edhe më pak, diku muajt mars, prill e maj nën 30%”, ka thënë ai.
Sipas tij, të gjitha repartet janë furnizuar pak më mirë këtë muaj.
Furnizimi në Spitalin e Gjilanit dhe në atë të Mitrovicës nuk i përmbush të gjitha nevojat
Drejtori Klinik në Spitalin e Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë se edhe pse ka pasur furnizim me barna ato nuk përmbushin kërkesat e të gjithë pacientëve. “S’ka pasur vetëm shiringa deri më sot. Edhe sot ka pasur operatori ekonomik t’i përmbushë edhe ato, përndryshe me dorëza, me jod, me alkool ka pasur furnizim. Ka pasur furnizime edhe me barna, pra është përmirësuar furnizimi. Kërkesat e pacientëve qind për qind nuk përmbushen, por ato të listës esenciale shumica janë furnizuar”, ka thënë ai.
Në anën tjetër drejtori ekzekutiv i Spitalit të Mitrovicës, Hamëz Berisha, ka thënë për gazetën se furnizimi me barna nuk është i mjaftueshëm, pasi ka kërkesa edhe për barna që nuk gjenden në listën esenciale të barnave. Sipas tij, momentalisht nuk kanë statistika sa i përket përqindjes së furnizimit. “Në bazë të kërkesave të pacientëve nuk është furnizimi i mjaftueshëm, për arsye se disa barna nuk gjenden në listën esenciale. Në bazë të listës esenciale i plotëson nevojat e kërkesës së pacientëve në Spitalin e Përgjithshëm”, thotë Dr. Sami Haxhibeqiri, Mitrovicë.
Furnizim të pamjaftueshëm me barna këtë vit ka pasur edhe në Spitalin e Ferizajt.
As qendra kryesore shëndetësore – QKUK-ja nuk ka barna për të gjithë pacientët
Furnizimi me barna dhe me material shpenzues nuk i përmbush të gjitha kërkesat e pacientëve as në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Gazeta “Zëri” vazhdimisht ka përcjellë furnizimin me barna në QKUK. Pacientë të shumtë janë shprehur të pakënaqur me atë se ata po duhet t’i blejnë vetë të gjitha produktet medicinale, për më shumë ata kanë treguar edhe faturat në të cilat shihej se kanë blerë fasha, jod e kapela për stafin mjekësor.
Në muajin qershor, sipas të dhënave të dërguara për gazetën, nga Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar e Kosovës (SHSKUK),
Kanë thënë se furnizimi me barna ka qenë 68%, ndërsa me material shpenzues 52%.
Pas datës 26 qershor, sipas një njoftimi për medie nga QKUK-ja, furnizimi me barna ka arritur mbi 70%. Sipas njoftimit, edhe furnizimi me material shpenzues është stabilizuar.
Anëtari i Bordit i Shërbimit Spitalor Klinikë dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Shemsi Veseli, ka thënë se në mungesën e barnave ka ndikuar edhe skadimi i kontratave që për këtë fajtore është Zyra e Prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe jo stafi mjekësor.
Kadrijaj: Të gjitha spitalet duhet të furnizohen me barna
Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Time Kadrijaj, ka thënë për “Zërin” se Ministria e Shëndetësisë duhet t’i furnizojë me barna dhe me material shpenzues të gjitha spitalet njëkohësisht. “Me një datë është mirë që Ministria të kujdeset për të gjitha institucionet shëndetësore, qoftë edhe nivelet primare që është fjala për Mjekësinë Familjare dhe për ato sekondare që janë spitalet rajonale e terciare që është QKUK-ja, të furnizohen dhe furnizimi të bëhet sipas listës esenciale të furnizimit të institucioneve shëndetësore”, ka thënë ajo.
Sipas saj, institucionet publike shëndetësore duhet të furnizohen me të gjitha barnat të cilat përdoren në rastet kur është në rrezik jeta e pacientëve. “Edhe me barnat që janë emergjente çdo institucion është mirë të furnizohet, të planifikohen dhe me atë buxhet që është duhet t’u jepet përparësi barnave vitale që me to shpëton jetë sepse nëse marrim emergjencat, është e pakuptimtë që një institucion cilido qoftë të mos i ketë këto barna vitale, të cilat duhen me automatizëm qoftë në ndonjë ndeshje, qoftë në ndonjë rast, të mos i kenë për shpëtimin e jetës së pacientëve”, ka thënë ajo.
Kadrijaj ka theksuar se furnizimi duhet të jetë i njëtrajtshëm. Njëjtë si furnizohet Qendra Klinike Universitare duhet të furnizohen edhe spitalet rajonale.
Mungesën e furnizimit me barna nuk a kanë arsyetuar as anëtarë të tjerë të Komisionit për Shëndetësi. Besa Baftiu, kryetare e Komisionit për Shëndetësi, në seancën plenare të Kuvendit të mbajtur të enjten ka thënë se mungesat e barnave arsyetohen vetëm me dështimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ajo ka theksuar se gjatë muajit maj furnizimi me barna nga lista esenciale dhe me material shpenzues ka qenë nën 60%. “I kam disa të dhëna të cilat janë nxjerrë në disa nga spitalet e përgjithshme në muajin maj. Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka qenë e furnizuar 57% me barna nga lista esenciale dhe 41% me material shpenzues, Spitali i Prizrenit 44% me barna dhe 18% me material shpenzues, Spitali i Gjakovës 58% me 26%, Spitali i Gjilanit 41% me 24%, Spitali i Ferizajt 47% me 27%. Këto mungesa të barnave mund të arsyetohen vetëm me dështim të MSH-së që të menaxhojë furnizimin me barna”, ka thënë ajo./ZËRI