Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit demanton kronikën e publikuar nga mediumi vendor Koha.net, ku pretendimet e paraqitura lidhur me gjendjen në shërbimin e Hemodializës janë të pabazuara dhe të pavërtetuara.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Afrim Cana, ka deklaruar se në lidhje me informacionin e publikuar nga Koha.net, nuk qëndron pretendimi se sot nuk është ofruar shërbimi i hemodializës për pacientët që kanë qenë të planifikuar në program.
Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, situata është pothuajse e njëjtë me atë në nivel vendi, megjithatë furnizimi me materialet e nevojshme ka vazhduar përditë, përmes Barnatores Qendrore në QKUK.
Pretendimet e publikuara janë të njëanshme dhe të pavërteta. Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit i bën thirrje mediave që të verifikojnë me kujdes burimet e informacionit para publikimit të çfarëdo materiali, me qëllim të shmangies së dezinformimit publik dhe dëmtimit të imazhit të profesionistëve shëndetësorë.










