Ka 10 ditë që në Spitalin e Gjilanit, furnizimi me oksigjen në këtë kohë kur numri i pacientëve me Covid-19 vazhdon të jetë i lartë, është i pamjaftueshëm.
Madje natën e kaluar spitali është detyruar të bartte nga kjo komunë drejt QKUK-së dy pacientë, të cilët kishin vështirësi të theksuara në frymëmarrje.
Në një prononcim për IndeksOnlinen, nënkryetari i kësaj komune Arbër Ismajli, ka bërë të ditur se ky shqetësim vazhdon të jetë prezent, për çka janë të njoftuar edhe institucionet qendrore, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar.
“Nuk është risi mungesa e oksigjenit në Spitalin e Gjilanit. Ka 10 ditë që ne e kemi aktualizuar këtë temë. Nuk është që spitali s’ka oksigjen sepse momentalisht kemi pacientë që janë në hospitalizim, ata marrin oksigjen, por furnizimi është i vështirë. Nëse ka oksigjen vetëm për një ditë, atëherë është shqetësim serioz ”, tha Ismajli për IndeksOnline.
Ndonëse komunat nuk kanë asnjë kompetencë ligjore për furnizim me oksigjen, Ismjal ka bërë të ditur se nuk po mungojnë përpjekjet e kryetarit Lutfi Haziri, për të arritur deri këtij qëllimi.
“Unë mund t’ju siguroj se ka dy ditë që kryetari i Gjilanit po bën përpjekje me komunën e Kumanovës me pa mundësinë që të furnizohemi me oksigjen . Deri tashti që po flasim nuk ka ndonjë të re, meqë nga informatat jo zyrtare na është thënë se edhe spitali i këtij qyteti ka mungesë të oksigjenit. Ne po përpiqemi, por deri tani nuk po mund të gjejmë rrugën për import të oksigjenit”, theksoi Ismajli.
Ai ka treguar se për gjendjen në këtë spital është i njoftuat edhe ministri Zemaj.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ministrin Zemaj, por përgjigja është po u kry furnizimi me oksigjen, mirëpo jo në masën që është e nevojshme. Sasia që po furnizohet spitali i Gjilanit nuk është e mjaftueshme për këta pacientë që janë të shtrirë. Nuk është marre me thanë, duhet me u ba të gjithë bashkë me zgjidh këtë problem se është serioz, po bëhet fjalë për jetën e qytetarëve”, nënvizoi Ismajli.
Ndonëse ka mbetur edhe njëherë që Haziri të kontaktojë me kryetarin e Kumanovës, për të parë nëse mund të ofrohet ndihmë në furnizim me oksigjen, situata në Spitalin e Gjilanit vazhdon të mbetet e njëjtë.