Spoti zgjedhor i partisë së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq i cili u prezantua në diskutimin e dytë online ishte pa Kosovën, komunën e Bujanocit dhe Preshevës në hartë të Serbisë, transmeton Titulli.com.
Përmes këtij diskutimi online presidenti, Aleksandër Vuçiq foli për të ardhmen e Serbisë në fushën politike, ekonomike e zhvillimit të përgjithshëm ndërsa spoti është emëruar “Për fëmijët tanë.
Ky përjashtim në hartën e Serbisë ka nxitur reagime të ndryshme brenda Serbisë, raporton Titulli.com.
“Prezantim tejet interesant grafik, për të cilin do të doja ta shoh se çfarë mendojnë votuesit e tyre. Përkatësisht, se cili është komenti i tyre rreth faktit që SNS nuk brengoset për fëmijët në Kosovë. Mendoj se ky spot paraqet gabim të madh, por kush e di se cila është porosia që fshihet prapa tij.
Mbase ky është tentim për t’i testuar votuesit e SNS-së për hapat e ardhshëm që synon t’i ndërmarrë Vuçiqi karshi Kosovës”, ka thënë Boban Stojanoviq, një analist serb për mediat e këtij shteti.
Të shumta kanë qenë edhe reagimet e serbëve në “Twitter”, duke e akuzuar për “tradhti” Vuçiqin.
Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi mbahen më 21 qershor.