Në vend që të jetë një hapësirë zhvillimi dhe sigurie për klubet e futbollit të Gjilanit, stadiumi ndihmës me bar sintetik po kthehet në një kërcënim serioz për shëndetin e futbollistëve dhe për vetë garën në Superligën e Kosovës.
Fusha e këtij stadiumi, e cila prej kohësh është cilësuar si e papërshtatshme për futbollin elitar, po lë pas vetes një listë të gjatë të futbollistëve të lënduar rëndë:
• Hasan Gomda dhe Ilir Mustafa e humbën të gjithë sezonin me Dritën.
• Rron Broja dhe Blerim Krasniqi gjithashtu përfunduan jashtë fushave pas paraqitjeve në këtë stadium.
• Robert Rrahmani i Gjilanit mungoi për javë të tëra.
• Më i fundit në këtë listë shqetësuese është Oltion Bilalli, i cili sot pësoi një lëndim të rëndë, duke rënë pa ndjenja në fushë pas një përplasjeje, dhe ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.
Lista nuk mbaron me kaq. Lëndime kanë pësuar edhe lojtarë nga klube të tjera të Superligës, si Lindon Emërllahu dhe të tjerë, të cilët janë përballur me pasoja të rënda shëndetësore.
Përtej statistikave, kjo fushë po tregon çdo javë se nuk është më thjesht një problem teknik – është një rrezik real. Rrezik për karriera, për ekipe dhe mbi të gjitha, për njerëz. Fusha ku “nëse nuk lëndohesh, je me fat”.
Përballë kësaj situate, mbetet pyetja: A do të vazhdojë heshtja, apo do të ndërmerren hapa konkretë për të garantuar sigurinë e futbollistëve?