Stadiumi i Gjilanit vazhdon të jetë në gjendje të tmerrshme.
Në ‘stadiumin e qytetit’, ku i zhvillojnë ndeshjet si vendas dy skuadra, pra Drita dhe Gjilani, vazhdon problemi i njëjtë me kushtet e tmerrshme.
Në ndeshjet e fundit, lojtarët kanë luajtur në ‘lloq’, gjë që assesi nuk duhet të ishte as problem, duke marrë parasysh se dy skuadrat kosovare synojnë pjesëmarrjen në garat evropiane.
Por, kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka premtuar se gjatë javës në vijim do takohet me përfaqësuesit e dy klubeve që të gjejnë sa më parë zgjidhje për rregullimin e stadiumit.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
Këtë fundjavë, vendosa t’ia dedikoj sportit dhe në veçanti ndjekjes së ndeshjeve të ekipeve të qytetit tonë: Gjilanit dhe Dritës. Fitoret e tyre respektivisht kundër Ballkani F.c dhe KF Ulpianës, i siguruan dy vendet e para në Superligë, në mbarim të dy fazave të kampionatit.
Duke i përcjellë ndeshjet e dy ekipeve me të cilat krenohet qyteti jonë, është e dukshme që ne nuk e meritojmë gjendjen në të cilën ndodhet stadiumi i qytetit. Drita dhe Gjilani po na përfaqësojnë denjësisht, andaj është e domosdoshme zgjidhja e çështjes së stadiumit.
Për këtë, gjatë javës në vijim, kam vendosur të pres në takim përfaqësuesit e klubeve dhe tifozëve për të diskutuar rreth kësaj çështjeje. Kjo problematikë do gjejë zgjidhje, e skuadrat e qytetit të Gjilanit do mund të luajnë në kushte dinjitoze, për të na përfaqësuar pastaj dhe denjësisht në kupat evropiane’, shkroi ai.