Vendimi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për të pezulluar tenderin për renovimin e Stadiumit të Gjilanit ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, veçanërisht nga drejtuesit lokalë. Kryetari i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, e ka cilësuar këtë si një tjetër dështim të madh të institucioneve qendrore, duke e akuzuar qeverinë për mungesë të projekteve serioze për qytetin.
“Afro katër vite qeverisje dhe asnjë projekt serioz e madhor nuk ka parë dritën e përfundimit. Stadiumi ka mbetur në gjysmë, autostrada është ende temë tabu, ndërsa Gjilani vazhdon të mos marrë investimet që i takojnë,” ka shkruar Kadriu në një reagim publik.
Ai ka kërkuar llogaridhënie nga institucionet për këtë bllokim të projektit, duke ngritur pyetjen nëse dikush do të pranojë përgjegjësinë për dështimet e njëpasnjëshme në investimet infrastrukturore të qytetit. Reagimi i tij ka nxitur debat të gjerë, ndërsa qytetarët dhe komuniteti sportiv mbeten në pritje të një zgjidhjeje për stadiumin, i cili tashmë është kthyer në një simbol të premtimeve të parealizuara.
Statusi i plotë:
Stadiumin s’po e bëni – të kthehemi të luajmë futboll tek livadhet e Malishevës?!
Afro 4 vite qeverisje dhe asnjë projekt serioz e madhor nuk ka parë dritën e përfundimit. Autostrada ende mbetet temë për të cilën “pritojnë të flasin”, stadiumi ka mbetur në gjysmë, ndërsa qyteti ynë vazhdon të mos marrë investimet që i meriton.
A ka ndonjë përgjegjës për këto dështime? A do të marrë dikush guximin të pranojë se nuk kanë ditur të punojnë? Nuk është turp të pranosh dështimin.
#GjilaniMbetiNëVend #KohaPërNdryshim