Studentët në Universitetin e Prishtinës sot do të fillojnë të vijojnë ligjëratat, mirëpo ata të cilët nuk janë vaksinuar kundër virusit vdekjeprurës, Covid19, s’do të kenë këtë mundësi.
D.G, studente në vitin e dytë në fakultetin e Filologjisë, ka humbur afatin e një provimi në një lëndë për shkak që s’u lejua të hynte pasi s’ishte vaksinuar.
Ajo për IndeksOnline pohoi se ishte e vetmja ndër kolegët që s’ishte vaksinuar.
“Unë jam vaksinuar këtë javë pasi kuptova se nuk mund të vijoj ligjëratat në fakultet. Unë kam pasur një përvojë jo të mirë tash, për shkak të mosvaksinimit kundër Covid19. S’kam mundur të hyjë në provim vetëm pse s’isha e vaksinuar, kam humbur afatin për shkak të vaksinës”, tha ajo.
Kurse, nga Ministria e Shëndetësisë, për IndeksOnline kanë pohuar se studentët i janë përgjigjur shpejt ftesës për vaksinim.
Sipas MSH-së, shumica prej tyre i kanë marrë nga dy doza të vaksinës kundër COVID-19.
“Studentet kanë qenë një kategori që i janë përgjigjur shpejt ftesës për vaksinim dhe dëshmi për këtë është numri i madh i dozave të administruara tek kjo kategori.
Sipas të dhënave, 137 677 doza të vaksinës kundër COVID-19 janë administruar tek kategoria e deklaruar si studentë, me rastin e vaksinimit dhe aplikimit për vaksinë.
Kjo tregon që shumica prej tyre i kanë marrë nga dy doza të vaksinës kundër COVID-19”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për IndeksOnline.
Ndërsa, Rektori i UP-së Naser Sahiti tha se ligjëratat do të zhvillohen fizikisht por do të ndahen studentët në grupe dhe duke u respektuar distanca./