Në kuadër të lëndës “Aplikacionet, shërbimet dhe teknologjitë e bazuara në lokacione”, studenti i nivelit Masterit në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Kolegjin AAB, Gazmend Jakupi, ka krijuar projektin GLADIATOR (GeoLocAtion Data InformATion lOggeR).
Hardueri në fjalë është i zhvilluar me pllakën Arduino e cila shërben për krijimin e prototipeve. Në këtë harduer janë integruar edhe modulet shtesë: Moduli WiFi, Moduli GPS, Moduli Micro SD Card Reader dhe një Micro SD kartelë.
Për funksionimin e harduerit, studenti krijoi softuerin e kompletuar në platformën Arduino në gjuhën programuese C. Ky softuer kontrollon të gjitha modulet shtesë si dhe kujdeset për komunikim me ueb serverin duke bërë ngarkimin e të dhënave mbi koordinatat e vendndodhjes së automjeteve, të mbledhura nga GPS moduli.
www.gladiator.al është ueb faqja e projektit në fjalë. Kjo ueb faqe ‘jeton’ në ueb serverin nginx, e krijuar në gjuhën programuese PhP që shfrytëzon MySQL databazën dhe përdor bootstrap framework’un i cili e bën ueb faqen plotësisht mobile friendly.
Serveri në backend bën pranimin e informatave të dërguara nga pajisja dhe i vendos ato në databazë, ku klientët përmes ueb faqes mund t’i shkarkojnë këto informata dhe t’i shohin edhe vizualisht në softuerët e specializuar si p.sh. Google Earth Pro.
“Kompanitë të cilat kanë dhjetëra e më shumë automjete, përmes kësaj pajisjeje kursejnë shumë, në krahasim me pajisjet e ngjashme e po ashtu edhe në parapagimet e obligueshme mujore të internetit GPRS të operatorëve të telefonisë mobile. Përveç tjerash largohet edhe varshmëria nga operatorët e telefonisë mobile, si në anën financiare ashtu edhe në anën e funksionimit jo adekuat në të gjitha lokacionet”, tha Gazmendi.
Kjo pajisje mund të vendoset në automjete të ndryshme të kompanive, të cilat gjatë gjithë udhëtimit mbledhin informata mbi vendndodhjen e tyre. Përdorimi i këtyre pajisjeve nuk kërkon fare prezencën e sim kartelës dhe parapagimin për internet GPRS, pasiqë ka të implementuar modulin WiFi.