Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa që të anulojë rezultatet e votimit me postë dhe që të urdhërojë Komisionin Qendror Zgjedhore që të përsërisë votimin.
Në ankesën e dërguar në PZAP, Vetëvendosje po pretendon që në fletëvotimet e ardhura me postë ka pasë manipulime dhe se është cenuar e drejta e votës.
“Prandaj duke e dituar që në secilin fletëvotim të ardhur me postë ka pasur manipulime të tilla, është dëmtuar integriteti zgjedhor, është cenuar e drejta e votimit siç përcaktohet në Kushtetutë dhe Ligj, prandaj në bazë të nenit 120 të LZP-së, paragrafi 1 nënparagrafi 1.2, ndërlidhur me nenet 101 dhe 106 të LZP-së, kërkojmë nga PZAP që të ANULOJË rezultatet e votimit me postë dhe njëkohësisht ta URDHËROJË KQZ-në që të përsërisë votimin”, thuhet në ankesën e VV-së.
Nga votat e ardhura me postë, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 51.57 % të votave. Ajo pasohet nga LDK me 30.55 %, e treta është PDK me 9.48 % dhe e katërta është AAK me 3.23 %.
Ky rezultat nuk e kënaqi Vetëvendosjen, e cila pati pritshmëri që të ketë rezultat të ngjashëm si në në votat në përfaqësitë diplomatike ku mori 80.71%.
“Më 5 mars 2025, ditën e përmbylljes së procesit të numërimit dhe rinumërimit të fletëvotimeve, komisionerë dhe vëzhgues të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kanë identifikuar se në vazhdimësi gjatë këtij procesi në Qendrën e Numërimit në Prishtinë, janë identifikuar parregullsi të shumta që provojnë qartazi se procesi i regjistrimit dhe i votimit përmes postës, respektivisht i plotësimit të fletëvotimeve, përveçse ka qenë në kundërshtim me dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore për zgjedhjet, gjithashtu ka vënë në pah mungesën e veprimit dhe shprehjes së vullnetit individual të votuesit”, thuhet në hyrje të ankesës së parashtruar nga Vetëvendosje.
“Neni 45 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 6 i Ligjit Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme të Republikës së Kosovës, përcaktojnë shprehimisht dhe qartë se vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Në këtë kuptim, gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve në QNR të dërguara më postë, kanë dalë në pah elemente të shumta që dëshmojnë qartazi për mosrespektim të dispozitave ligjore dhe kushtetuese të votimit”.
Më herët zëdhënësi i Komisionit Zgjedhor Qendror, Valmir Elezi, tha se KQZ-së do t’i duhet të presë vendimet e PZAP-së dhe eventualisht edhe të Gjykatës Supreme për të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve pas tri ankesave që shkuan në PZAP.
“KQZ është njoftuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se në këtë institucion janë paraqitur tri ankesa nga një subjekt politik. Andaj, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe eventualisht edhe të Gjykatës Supreme para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025”,tha ai.