Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) njofton qytetarët se është mbyllur aplikimi për thirrjen publike “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”.
Sipas FKEE-së, mbyllja e parakohshme është si rezultat i pranimit të mbi 2,000 aplikimeve.
“Mbyllja e parakohshme është rezultat i pranimit të mbi 2,000 aplikimeve, të cilat përmbushin buxhetin e destinuar për subvencionim të masave, izolim të mureve, kulmit dhe ndërrim të dyerve e dritareve të jashtme, deri në 45 për qind të shumës (5 për qind bonus për shtëpitë që janë pronë e gruas ose bashkëpronësi e çiftit) duke mos kaluar kufirin maksimal 5,500 euro”, thuhet në arsyetimin e FKEE-së.
Aty thuhet se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës të arritjes dhe se janë dorëzuar edhe letrat e para të para-aprovimit.
“Ju rikujtojmë se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës të arritjes së tyre dhe tashmë janë dorëzuar edhe letrat e para të para-aprovimit. Të gjithë ata që pranojnë këtë dokument, duhet të ndjekin edhe më tutje rregullat e parapara në thirrjen publike (Thirrja Publike) deri në përfundim të procesit kur edhe marrin paratë”, përfundon njoftimi.
Ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.