Për të pestën radhë, Kosova dështoi që të anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL).
Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj, ka kërkuar tërheqjen e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) dhe shtyrjen e kësaj kërkese për vitin e ardhshëm.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, bazuar në kompetencat e tij si kryeministër në detyrë dhe nga rekomandimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, sot ka kërkuar shtyrjen e votimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL për vitin e ardhshëm”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për medie të Zyrës së Kryeministrit, pikërisht ditën kur Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it filloi punimet.
Në anën tjetër, njohësit e çështjeve të sigurisë në vend, e shohin këtë si dështim të Kosovës, por që në të njëjtën kohë sugjerojnë që Kosova të mos aplikojë as vitin tjetër në INTERPOL.
Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka thënë për lajmi.net, se tërheqja e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL ka qenë vendim i duhur, kjo pasi siç tha ai, duke e parë tërë situatën politike në vend.
“Ka bërë mirë Kosova që e ka tërheq kërkesën. Nuk ishte momentumi për neve e as rrethanat që të aplikojmë në INTERPOL sepse politikisht brenda jemi keq, pa qeveri dhe nga shtetet e jashtme nuk kemi përkrahje”, ka thënë Perteshi.
Tutje, ai ka sugjeruar që Kosova të mos aplikojë as vitin që vjen në këtë organizatë.
“Madje as vitin tjetër nuk mendoj që duhet të aplikojmë nëse nuk zbatohen marrëveshjet mos me pengu Kosovën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, u shpreh Perteshi.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë për lajmi.net, se ky është një dështim i Kosovës.
Sipas Ibishit dështimi i anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL ka ardhur si pasojë e moslobimit të duhur, por që ai thotë se fajtore është Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës e cila i ka marrë përsipër të gjithë përgjegjësitë pa bashkëpunuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Ministrinë e Drejtësisë.
“Ministria e Punëve të Jashtme duke e marrë një autoritet mbi të gjitha duke mos bërë punë por njëkohësisht duke injoruar edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme edhe të Drejtësisë, realisht duhet të bashkëpunojnë gjatë lobimit. Kështu që arsyetimi ose shkaku i tërheqjes është ndërrimi i qeverisë ajo fare nuk e arsyeton pasi që realisht nuk duhet të ketë diskont-unitet në bartjen e kompetencave prej një legjislature në tjetrën pasi që ajo është funksionale deri në momentin kur të formohet legjislativi dhe të mandatohet qeveria e re”, u shpreh Ibishi, i cili shtoi se, ky arsyetim vetëm sa e tregon paaftësinë, e Qeverisë.
Ibishi thotë se tërheqja në momentin e fundit nga aplikimi për INTERPOL, ka ulur autoritetin e Kosovës karshi bashkësisë ndërkombëtare.
“Kështu që arsyetimi i tyre dërguar INTERPOL-it gjegjësisht Asamblesë së Përgjithshme për INTERPOL-in, vetëm e tregon paaftësinë e Qeverisë gjegjësisht Ministrisë Punës së Brendshme. Do me thënë pasi që nuk ka bërë punën e duhur në lobim edhe tash një prurje në lajthim edhe e opinionit që kinse ka pasur pengesa apo gjegjësisht nuk ka pasur autoritet për shkak të krijimit të Qeverisë së re për arsye se realisht ende është në pozitë deri në momentin kur të formohet qeveria e re, do me thënë kjo nuk e arsyeton. Pra ky është dështimi i dytë i radhës i kësaj Qeverie në kuptim të asaj tërheqjes së aplikacionit edhe kjo një në njëfarë forme e diskrediton Kosovën në tentim të saj për integrim. Do me thënë kjo është një lloj i joseriozitetit në qasjen në anëtarësim të organizatave ndërkombëtare sikurse siç është INTERPOL-i për arsye se ky aplikim në momentin e fundit dhe në momentin e fundit nuk pranon që të shkojë në aplikim dhe kjo do të thotë për bashkësinë ndërkombëtare janë sinjale më të këqija të një Qeverie. Për atë arsye mendoj se me këtë ajo vetëm ka ulur autoritetin e Republikës në fazat e tjera ku duhet të me aplikua atëherë edhe komiteti ekzekutiv dhe vet sekretariati do të rishikojnë se a do të marrin atë kërkesë për seriozisht më apo do ta injorojnë qysh në fillim pa e futur fare në fazën e miratimit që të dërgohet në votim. Për këtë arsye mendoj që kjo është në një formë edhe një lojë e kësaj Qeverie, në një formë e diskrediton Qeverinë e Kosovës këtë vazhdë të tendencave për integrimet në organizatat ndërkombëtare në këtë rast INTERPOL-in”, ka thënë Ibishi.
Ndërkaq, Shaban Tasholli, nënkryetar i sindikatës së Policisë së Kosovës ka thënë për lajmi.net, se kurdo që anëtarësohet Kosova në INTERPOL, kjo do të jetë e mirëseardhur për policinë, pavarësisht se nuk është në dijeni për arsyen e tërheqjes së aplikimit.
“Është e mirëseardhur ajo ditë, kurdo që vjen. Kërkesat janë bërë të njëpasnjëshme për INTERPOL, tani kryeministri në detyrë ka bërë kërkesë për tërheqje për anëtarësim në INTERPOL. Ne nuk e dimë arsyen, nuk e dimë a është diplomaci apo në bazë të hierarkisë së shtetit se si ka qenë kjo, mirëpo për momentin nuk kemi kërkesë për anëtarësim”, u shpreh Tasholli.
Tasholli po ashtu ka thënë se, anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL është jo vetëm në të mirë të vendit, por edhe të rajonit.
“Do Zoti që sa më shpejt të anëtarësohemi sepse kjo është ndihmesë edhe për krejt rajonin dhe jo vetëm për neve. Sepse policia në INTERPOL të gjitha krimet i ka të përbashkëta, kështu që na ndihmon neve dhe i ndihmon të tjerëve. Besoj që ajo punë është e domosdoshme të kryhet dhe është në interes i joni medoemos por edhe i të tjerëve dhe jo vetëm i joni por edhe i shteteve të rajonit”, tha Tasholli për lajmi.net.
Duhet theksuar se, tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010.
Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare.
Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme.
Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.
Po ashtu edhe dje, pra në vitin 2019 kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka tërhequr aplikimin për në INTERPOL në ditën e parë kur filluan punimet e Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate.