Kominukata zyrtare nga Suhareka
Ankesë zyrtare për gabimet arbitrare në ndeshjen FC Suhareka vs SC Gjilani
Me këtë komunikatë dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me gjykimin e ndeshjes FC Suhareka vs SC Gjilani, ku arbitri kryesor Gramoz Shala, së bashku me ekipin e arbitrimit, kanë marrë vendime që kanë ndikuar drejtpërdrejt dhe në mënyrë të padrejtë në rrjedhën e lojës dhe rezultatin përfundimtar.
Në një moment kyç të ndeshjes, gjatë një aksioni sulmues të ekipit tonë, u pa qartë një tërheqje nga kundërshtari ndaj lojtarit tonë. Pavarësisht kësaj shkeljeje të dukshme, arbitri në fushë nuk reagoi, ashtu si edhe arbitrat e sistemit VAR dhe AVAR, të cilët nuk e shqyrtuan rastin në mënyrë profesionale dhe të drejtë. Kjo është e papranueshme, veçanërisht kur në dispozicion janë të gjitha teknologjitë e nevojshme për të shmangur gabime të tilla flagrante.
Pavarësisht pranisë së tre arbitrave në fushë, një arbitri të katërt ndihmës, si dhe dy arbitrave në VAR dhe AVAR, ekipi ynë përsëri u dëmtua nga një vendim skandaloz, i cili jo vetëm që dëmtoi përpjekjet tona në këtë ndeshje, por cënoi edhe integritetin e garës. Ky nivel gjykimi nuk i përshtatet standardeve të kërkuara nga FIFA dhe dëmton rëndë besueshmërinë e kampionatit.
Ne mbetemi të habitur dhe të zhgënjyer se si dhoma e VAR-it nuk reagoi aspak në këtë situatë. Nëse me gjithë këtë teknologji sërish ndodhin gabime të tilla amatoreske, atëherë lind pyetja se çfarë masash shtesë duhet të ndërmerren për të siguruar një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Në këto rrethana, kërkojmë një shqyrtim të menjëhershëm të këtij rasti dhe një shpjegim zyrtar për vendimet e marra nga arbitrat në këtë ndeshje. Po ashtu, kërkojmë që të merren masa për të shmangur përsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen, duke garantuar që gjykimi të jetë në përputhje me standardet e FIFA-s dhe ta mos dëmtojë punën dhe përkushtimin e ekipeve që punojnë çdo ditë për rezultate të drejta dhe të merituara.