Nuk ka pushim për ekipet, Superliga e Kosovës në futboll rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së 34-të.
Kampioni i ri, Drita, do të jetë nikoqir i Dukagjinit, në një ndeshje që për gjilanasit ka karakter formal, por që mbetet sfidë prestigji para tifozëve të vet. Drita vjen nga një barazim në udhëtim ndaj Ballkanit dhe do të kërkojë të mbyllë sezonin me fitore.
Ndërkohë, Gjilani do të udhëtojë drejt kryeqytetit për t’u përballur me Prishtinën, në një ndeshje me rëndësi të madhe për ekipin gjilanas. Skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu synon tri pikë jetike në garën për një vend në Evropë dhe për t’iu shmangur zonës së barazhit. Edhe Gjilani barazoi në sfidën e fundit, si vendas ndaj Malishevës.
Të gjitha ndeshjet e kësaj jave do të zhvillohen të dielën nga ora 16:00, duke garantuar një pasdite plot me futboll dhe luftë për objektivat sezonalë.