Albi Mall Superliga e Kosovës vazhdon sot me ndeshjet e xhiros së 25-të, ku tre duele fantastike janë në program për tu zhvilluar.
Padyshim që vëmendja më e madhe e adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në qytetin e Gjilanit, ku zhvillohet derbi i Anamoravës mes Dritës dhe Gjilanit.
Dy skuadrat gjilanase janë duke kaluar nëpër një formë shumë të mirë dhe kjo përballje pritet të jetë e zjarrtë, edhe pse do të zhvillohet pa praninë e publikut.
Drita pas barazimit në udhëtim te Ballkani kërkon të rikthehet te fitoret për të mbetur në hap me liderin.
Në anën tjetër edhe Gjilani vjen pas një barazimi dhe synon që mos të mposhtet në derbin lokal, pasi synimi është që ta mbajë diferencën me ndjekësit për pozitën e tretë.
Duel spektakolar pritet të zhvillohet edhe në Podujevë mes Llapit dhe Ballkanit.
Vendasit pas tre humbjeve radhazi duan reflektim pasi tani janë në pozitë të palakmueshme për mbijetesë, ndërkohë suharekasit pas tre barazimeve kërkojnë të rikthehen te fitoret.
Sfida e fundit e ditës së sotme, por jo nga rëndësia zhvillohet mes Prishtinës dhe Malishevës në Lipjan.
Si vendasit ashtu edhe mysafirët duan tre pikët dhe pritet të jetë një duel shumë interesant.
Të gjitha ndeshjet e ditës së sotme fillojnë nga ora 13:00.