(Paraqitja ime në seancën e X të KK në Gjilan, lidhur me shpenzimet e kategorisë së subvencioneve në kuadër të DKRS)
Duke i parë paknaqësitë e shumta lidhur me vendimet e komunës për subvencione, unë këtu pe shoh shifrën e shpenzimeve për subvencione të DKRS, në shumë prej 136,465.69 €, shumë kjo e cila, të paktën për ne këshilltarët duhet të arsyetohet ligjërisht.
Ankesat e klubeve sportive, për parregullsi në ndarjen e subvencioneve, më kanë detyruar të hulumtoj në ëeb faqen zyrtare të Komunës, dokumentet zyrtare lidhur me ndarjen e subvencioneve nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, dhe, përveq njoftimit për aplikim për subvencionim, asnjë dokument tjetër unë nuk kam mund ta gjej në këtë faqe. Pra, si mund të na i hiqni dyshimet për parregullsi dhe abuzim me paranë publike, taksën e qytetarëve tanë, me kaq shumë jo trasparencë në ndarjen e subvencioneve?!
Mospublikimi i listës së përfituesve të subvencioneve, si dhe mosdhënia e mundësisë ligjore të ankesave për mënyrën e trajtimit të projekteve të klubeve sportive, që është në kundërshtim edhe me rregulloren e komunës për subvencione, si dhe shumë parregullsi tjera të kësaj natyreje, të shkaktuara nga komisioni i DKRS-së për ndarjen e subvencioneve, i shton edhe më shumë dyshimet tona në këtë relacion.
Për ta ilustruar këtë, po i paraqes vetëm dy raste, nga dy klube sportive të Gjilanit:
KV “Drita” – Femrat, nga Gjilani, kampion i trefishtë i Kosovës, që i ka sjell Gjilanit trofe të njëpasnjëshme, përkundër marrëveshjes për subvencionim për vitin 2017, në shumë prej dhjetë mijë euro, ky klub, përveç dy mijë euro, kurrë nuk e mori shumën tjetër të mjeteve sipas marrëveshjes së nënshkruar me Komunën. Madje, kryetari Haziri, përveq kësaj, këtij klubi i kishte premtuar edhe shpërblime tjera për rezultatet e arritura.
Edhe për ktë vit, këtij klubi elitë, ngjashëm po i ndodhë me subvencione.
Pothuajse ngjashëm ndodhë edhe me disa klube tjera të ndryshme sportive. Klubit të Boksit “Drita” në Gjilan, vitin e kaluar, Komuna, respektivisht DKRS, i kishte ndarë tre mijë euro subvencion, por që i janë dhënë vetëm gjashtëqind euro.
Ndërkaq, për këtë vit, K.Boksit “Drita”, është subvencionuar me dymijë euro, por që i k amarrë vetëm pesëqind euro, edhe ate në emër të bokserit Erdonis Maliqi, për pjesmarrje në olimpiadën ndërkombëtare në Argjentinë.
Merrne me mend, Gjilani e përfaqëson shtetin e Kosovës në olimpiadën botërore në Argjentinë, në arën e boksit ndërkombëtar për të rinjë, në kategorinë 64 kg, që është kulmi i prezentimit të vlerës sportive të një vendi, dhe Komuna nuk dënjon ta trajtojë me dinjitet këtë vlerë!
Në anën tjetër, ka spekulime dhe dyshime edhe për parregullsi tjera në mënyrën e ndarjes së subvencioneve klubeve sportive, OJQ-ve, nga trajtimi joprofesional i kërkesave për subvencionim.
Shefik Surdulli, këshilltar komunal (nga radhët e PDK në Gjilan)