Shefik Surdulli /këshilltar komunal, nga PDK Gjilan/
Pa një raport gjithëpërfshirës profesional, të punës dhe financiar, të të dy partnerëve aksionarë të KRPM “EKO HIGJIENA”, gjendja aty mbetet e pa qartë dhe e mjegullt.
Me një raport gjysmak (të gjymtuar) të komisionit komunal të aksionerëve (pjesa publike) për vitin 2019, që u prezentua në mënyrë telegrafike në seancën e djeshme të Kuvendit Komunal, nuk mund të vijmë deri te informata e plotë për gjendjen reale që mbizotëron tash e sa kohë në Kompaninë Publike Regjionale të Mbeturinave “Eko – Higjiena”, në Gjilan.
Kështu do të jetë deri sa aksionari tjetër i pjesës private (investitori austriak), i Partneritetit Publiko Privat, të mos i raportojë Kuvendit Komunal, ndajt të cilit ka obligim institucional-ligjor, si themelues i këtij partneriteti.
Çdo pandehmë tjetër mbi të drejtën e njërës apo tjetrës palë, së paku pa një raport të kompletuar të punës dhe atë financiar, nga të dy partnerët, është jo profesionale, jo korrekte dhe spekulative.
Zvarritja kaq e gjatë e zgjidhjes së këtij problemi, pos dëmeve tjera të shkaktuara me këtë rast, gjithashtu paraqet brengën time në dëmtimin e imazhit të komunës sonë në relacion me investitorët e jashtëm potencial, në fusha të caktuara të ekonomisë – biznesit, në territorin e Komunës së Gjilanit.
Në këtë kuadër, gjatë diskutimit tim për këtë çështje, unë dje i kam bërë thirrje publike investitorit privat të KPRM “EKO HIGJIENA”, që ti drejtohet për debat Kuvendit Komunal të Gjilanit, me një raport të punës dhe atë financiar, për periudhat gjegjëse.
Ndryshe, për ne këshilltarët (qytetarët, po se po), situata aty do të mbetet edhe më tej e pa qartë dhe e mjegullt.
Ne duhet ta bëjmë punën tonë, drejtësia të vetën.