Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë suspenduar katër zyrtarët policorë të Stacionit të Policisë në Lipjan, në mesin e të cilëve është edhe Komandanti i këtij stacioni, lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës që Gjykata Themelore e Ferizajt kishte lëshuar për Hamide Magashin, e cila të mërkurën u vra nga bashkëshorti i saj, Sokol Halili, i cili dje bëri vetëvrasje.
Sveçla ka thënë se të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal
“Sapo jam njoftuar se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ka dyshime të bazuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”. Me këtë rast, IPK ka rekomanduar suspendimin e 4 zyrtarëve policor nga Stacioni Policor në Lipjan ndërsa nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës është zbatuar ky rekomandim. Po ashtu, të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal”, ka shkruar Sveçla.
Sipas IPK’së, ata dyshohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar “.
“Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri tek dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor Lipjan, ka elemente të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar “. Nga veprimet hetimore deri më tani si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues)”, thuhet në komunikatë./Gazeta Express