Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka suspenduar gjyqtaren Florije Zatriqi e cila e kishte dënuar me 8 muaj e 8 ditë dhunuesin e një të miture.
Në njoftimin e KGjK-së bëhet e ditur se ky vendim është marrë në mbledhjen e sotme.
“Është themeluar paneli hetimor për rastin disiplinor dhe është vendosur për suspendimin e gjyqtares F.Z deri në një vendim tjetër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Gjykata Themelore e Pejës kishte vlerësuar rrethanat lehtësuese për personin me inicialet P.K., para se ta dënonte me 8 muaj e 8 ditë burgim për dhunimin e një 15-vjeçareje në një shtëpi të pabanuar në Gjakovë, bashkë me dy shokët e tij të mitur.
Si rrethana lehtësuese gjykata ka vlerësuar se P.K., ka pranuar fajësinë dhe ka shprehur keqardhje për veprën që ka kryer, faktin se tani ka një lidhje jashtëmartesore dhe një vajzë 4 muajshe si dhe nga kryerja e veprës penale kanë kaluar gati 10 vite. Janë marrë për bazë edhe lehtësime të tjera, të cilat konsiderohen skandaloze.
Rrethanë lehtësuese për 31-vjeçarin, i cili në vitin 2012 ishte 21-vjeç kur kishte kreyer veprën, është marrë edhe shoqërimi i tij me dy të mitur që sipas gjykatës, flasin për ‘pjekurinë e tij psikike’. Si dhe deklarata e të miturës në polici e prokurori se me rastin e marrëdhënies seksuale nuk kishte pasur lëndime. Ndërsa, rrethana rënduese gjykata nuk gjeti.