Një 19 vjeçar me iniciale Sh.B është rrahur brutalisht nga një polic i Kosovës. Atij i janë shkaktuar plagë e të çara në kokë sot në Mitrovicë, tek Liqeni Akumulues.
Menjëherë pas raportimit në Gazetën Online “Reporteri.net”, është suspenduar zyrtari policor me inicialet B.SH, i cili dyshohet se e ka rrahur brutalisht 19 vjeçarin.
Lajmin për “Reporteri.net” e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Inspektoratit Policor, Kushtrim Hodaj.
“Ne jemi njoftuar për rastin. Në mëngjes kemi dalë në vendin e ngjarjes. Janë ndërmarrw veprime hetimore dhe konsultuar prokurori kujdestar. Jemi dhëzuar që të fillojmë hetim penal për zyrtarin policor për lëndim trupor. Ne kemi rekomanduar suspendimin e tij”, tha ai.
Ai ka sqaruar se prokurori kujdestar ka vendosur që rasti të shkojë në procedurë të rregullt.
Kujtojmë se e gjithë ngjarja ndodhi kur sot rreth orës 5:00 (mëngjes i hershëm), 4 djem vushtrrias ishin ndalur nga 2 zyrtarë policorë tek Liqeni Akumulues në Mitrovicë dhe ishin udhëzuar të shkojnë në shtëpi pasi akoma ishte “ora policore”.
4 të rinjtë, që kishin kaluar natën pranë një zjarri tek ky liqen, meqë nuk kishin gjetur transport për kthim në shtëpi pas orës 19:00, thonë se kishin dëgjuar udhëzimet e policëve dhe ishin nisur të ktheheshin.
Por menjëherë pas kësaj, sipas tyre, njëri nga zyrtarët ka filluar të ushtrojë dhunë fizike mbi ta. Viktima që u përgjak thotë se iu bind policit, por pavarësisht kësaj ai e goditi.
“Ne e kemi fikur zjarrin dhe jemi nisur për shtëpi dhe me pas kemi kaluar rreth 20 m, njëri prej tyre ka kërkuar që të vrapojmë. Menjëherë pas kësaj, ka filluar të na godas, ashtu që fillimisht njërin prej shokëve të mij e ka goditur me shkelm në shpinë, tjetrin në këmbë, pastaj ka nxjerr shufrën metalike dhe më ka goditur në këmbën e majtë, pastaj dorën e majtë dhe derisa ishte duke më goditur, i kam thënë mos më godit, e pas kësaj, ka vazhduar me goditje disa herë në kokë, me shufër metalike, me ç’rast më ka shkaktuar plagë dhe ka filluar gjakderdhja.”, ka thënë Sh.B për Reporterin.
Djali thotë se, ndonëse i gjakosur, Policia e la ashtu në rrugë. Ai thotë se ka shkuar vetë në emergjencë dhe pastaj është shoqëruar në Stacion nga i njëjti polic që pretendohet se e kishte rrahur, ku është mbajtur deri në ora 12:00.
“I gjakosur, mezi kam arritur të shkoj në Emergjencë, ku më është ofruar ndihma e parë dhe personeli mjekësor e ka ftuar policinë”, ka shtuar ai.
E se personi ka qenë në Emergjencën e Mitrovicës, e konfirmojnë dokumentet që ka siguruar gazeta. Aty evidentohen edhe plagët.
Gazeta ka pyetur Policinë e Kosovës, e cila e ka konfirmuar se ka pasur një rast në këtë lokacion dhe, sipas Avni Zahitit, ai është cilësuar si “pengim i personit zyrtar”. Megjithatë, Zahiti e konfirmon se rastin e kanë marrë Inspektorati Policor, pasi 19 vjeçari është ankuar për dhunë.
“Rreth orës 4:00 të mëngjesit ka ndodhur një rast që ëshjtë inicuar “pengim i personit zyrtar”. Bëhet fjalë për një 19 vjeçar që është shoqëruar në Polici. I dyshuari është liruar me urdhër të prokurorit. I dyshuari ka paraqitur ankesë dhe rastin e kanë marrë IPK-ja”, ka thënë Avni Zahiti për Gazetën Online Reporteri.net.
Ndërkohë, viktima ka thënë se nga dhuna vazhdon të ketë probleme edhe tani. Ai ka deklaruar se para pak momentesh është drejtuar në Spitalin e Vushtrrisë, për shkak të kokëdhimbjes së padurueshme e pamundësisë për të fjetur, si pasojë e goditjeve me shufër metalike.