Është shkatërruar edhe laboratori i tretë i drogës në veri në kuadër të aksionit “Shpata” që po zhvillohet në atë pjesë të vendit.
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se vlera e drogës dhe pajisjeve të sekuestruara të laboratorëve në veri arrin në 2.3 milionë euro.
Sveçla ka shkruar se personat e infiltruar orkestrohen nga presidenti Serb Vuçiq, ministri i mbrojtjes Vuçeviq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën, Petkoviq.
“Siç kemi thënë barrikadat e vendosura gjatë muajit dhjetor në katër komunat e veriut të vendit në të vërtetë kanë mbrojtur drogën e jo qytetarët. Kanë mbrojtur grupet e krimit të organizuar dhe jo burrat e gratë të komunitetit serb shtetas të Kosovës. Ato kanë mbrojtur vetëm dhe vetëm fijet e krimit që dërgojnë në ndërtesën presidenciale të Serbisë, aty nga ku Vuciq dirigjon klanet kriminale për paratë e trafikut me të cilat më pas sulmon shtetin tonë në emër të të drejtave të qytetarëve.
Asnjë qytetari në botë nuk mund të mbrohet nga narkodillerat dhe paramilitarët.
Kjo kohë ka marrë fund. E drejta do të triumfojë edhe më herët se sa që e kanë paramenduar”, ka shkruar Sveçla.