Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bën të ditur se tetë persona janë arrestuar deri tani lidhur me grabitjen e argjendarisë në Suharekë.
Përmes një postimi në Facebook, ai njoftoi se Policia është në kërkim edhe të personit tjetër i përfshirë në rast.
Teksa shtoi se “vendi i kriminelëve është burgu” dhe se nuk do lejojnë që Kosova të bëhet vend i pasigurisë.
“Sot jam njoftuar që Policia e Kosovës pas një pune intenzive hetimore ka lokalizuar plaçkitësit dhe ka realizuar operacionin e arrestimit të tyre. Njëri nga të dyshuarit ka shtënë drejt zyrtarëve duke plagosur një zyrtar policor dhe me këtë rast i njejti është neutralizuar. Deri më tash janë arrestuar tetë persona ndërsa Policia është në kërkim të personit tjetër të përfshirë në këtë rast. Dy zyrtarëve policor të cilët janë plagosur dhe zyrtarit të lënduar në reagim dhe arrestim të të dyshuarve të këtij rasti ju uroj shërim të shpejtë. Vendi i kriminelëve është burgu, dhe ky është mesazh i qartë dhe i prerë që duhet të marrë kushdo që tenton që për çfarëdo arsye të destabilizojë sigurinë në vendin tonë. Krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar sepse Republikën e Kosovës nuk do ta lejojmë të bëhet vend i pasigurisë. Rendi dhe ligji do të mbizotërojnë në çdo cep të saj”, ka shkruar ai.