Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla deklaroi se ka një mobilizm të ushtrisë dhe xhandarshmërisë serbe, por beson se nuk do të ketë ndërhyrje në veri të vendit.
Në një intervistë për Euronews Albania, Sveçla nënvizoi se nëse diçka e tillë ndodh, Kosova ka institucionet e saj që janë të gatshme të mbrojnë sovranitetin dhe t’i dalin zot vendit.
Sveçla shtoi se Kosova ka mbështetjen e vazhdueshme të BE-së dhe SHBA-ve.
“Retorika nacionaliste serbe, në raport edhe me Kosovën, nuk ka ndryshuar nga vitet 80′ dhe 90′, ka një intensifikim të saj kohët e fundit. Një retorikë helmuese, me të cilën Vuçiç mundohet të arsyetojë veprimet e saj dhe të tërheqë vëmendjen e popullatës së Serbisë nga problemet e tyre. Ka mobilizim të ushtrisë, ka edhe mobilizim të xhandarshmërisë dhe policisë, kjo na bën që të jemi më të kujdesshëm dhe vigjilent, por jo të frikësuar.
Kosova është e pavarur, ka institucionet e saj që janë të gatshme që ta mbrojnë edhe sovranitetin, edhe integritetin territorial të Kosovës. Jam i bindur që nuk bëhet fjalë për ndonjë inkurzion të ushtrisë apo policisë serbe në Kosovë. Por ne jemi të gatshëm që t’i dalim për zot vendit tonë. Kemi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së dhe SHBA-ve”, theksoi ai.