Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion në komunën e Shtërpcës, për shkak të ndërtimeve pa leje që janë ndërtuar në zonën e Brezovicës.
Lidhur me këtë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm, por shkelësit e ligjit.
“Ashtu siç jemi zotuar se do të luftojmë krimin në çdo cep të vendit, sot u zhvillua suksesshëm aksioni i Policisë së Kosovës ndaj krimeve me ndërtime që kanë shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të maleve në zonën e Brezovicës. Ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara. Ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.
Sveçla ka shtuar se mbesin të përkushtuar që të oforjnë siguri, rend dhe ligj për të gjithë qytetarët.
“Shkelësit e ligjit do të luftohen pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim, në gjithë Republikën e Kosovës”, ka shkruar ai.