Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në panelin për politikat e mbrojtjes dhe sigurisë, i organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje ndërsa ka folur për sulmin terrorist në Basnjkë, ka thënë se janë mbyllur shumë rrugë ilegale që na lidhin me Serbinë.
“Kemi mbyllur shumë rrugë ilegale që na lidhin me Serbinë, deri tani 29. Kur po them rrugë ilegale, nuk po them shtigje malore, por po flas për rrugë që Serbia ndër vite i ka asfaltuar dhe nuk ka lejuar që ato të bllokohen ose të dëmtohen nga askush”, tha ai.
Ai tha se kanë arritur ta mposhtin grupin e kryekriminelit Millan Radoiçiqit që qëllim kishte aneksimin e 17% të territorit të Republikës së Kosovës.
“Ne kemi fituar në Banjskë për shkak të përgatitjeve të mëdha paraprake”, tha ai, duke theksuar se shëmbëlltyra e asaj fitore është rënia e rreshterit Afrim Bunjaku.
“Arritëm të mposhtim këtë grup terrorist, por edhe t’i zotërojmë dëshmitë e planit të tyre, që ishte asgjë më pak se aneksim i 17% të territorit të Republikës së Kosovës. Do të ishim futur në një cikël të bisedimeve e negociatave e rinegociatave për çlirimin e territorit tonë, që plani tyre ka qenë që t’i detyrojnë të tjerët të futen mes nesh dhe atyre, ashtu siç ka ndodhur në praktikë në raste të mëhershme”.
“Nuk mund t’i ndaj të gjithë detajet e punës tonë në veri, por ju siguroj që ka qenë angazhim i gjithanshëm i pakursyer i të gjithëve, qeverisë, shumicës së deputetëve, organizatës tonë, kjo punë e përbashkët, ky koordinim ka rezultu më se i suksesshëm me shumë sfida e vështirësi, por edhe shumë suksese”, ka thënë Sveçla.