Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas lirimit të tre policëve kosovarë që u rrëmbyen në veri.
Ai ka thënë se Serbia po vazhdon me lojërat e saj, pasi ndaj policëve është ngritur një aktakuzë.
“Serbia vazhdon me lojërat e saj. Policët tanë sot kthehen në Republikën e Kosovës, në familjet e tyre e në radhët e Policisë së Kosovës. Për t’u bashkuar kështu me kolegët e tyre në misionin e përbashkët për rend e ligj, siguri e sovranitet në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla.
Sveçla ka shkruar se përndjekja e policëve do të vazhdojë në liri.
“Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri. Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Sipas tij, policët e Kosovës kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Kosovës dhe se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për cënimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
“Policët tanë kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës dhe duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të integritetit, sovranitetit të vendit dhe luftim të kontrabandës. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cënimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Gjatë ditës së sotme, Gjykata në Kralevë ka marrë vendim për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat serbe me 14 qershor.
Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, u kidnapuan më 14 qershor brenda territorit të Kosovës./Reporteri.net/