Ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se për katër ditë 471 vetura me targa ilegale janë regjistruar me targa RKS në veri të Mitrovicës.
Ai ka thënë se kjo po ndodh pasi në veri më nuk kanë fuqi njerëzi si Milan Radojçiq, Llune, Mami, Rusi e të ngjashëm.
“Qytetarët tanë i janë përgjigjur pozitivisht vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për regjistrimin e veturave nga targat ilegale në targa RKS, duke regjistruar 471 vetura për 4 ditë. Kjo pasi që sot në veri nuk janë më të plotfuqishëm kriminelët si Milan Radojçiq, Llune, Mami, Rusi e të ngjajshëm. Mund të duket e paimagjinueshme nga perspektiva e para një viti, por sot në 4 komunat e veriut shërbejnë zyrtarë policorë që janë në shërbim të rendit dhe ligjit e në luftim të kontrabandës, grupeve kriminale e terroriste. Se shumica ishin vetë pjesë e krimit e kontrabandës tregon edhe përfshirja e ish-zyrtarëve policorë jo vetëm në rastin e Banjskës”, ka shkruar ai në Facebook të dielën.
Sveçla, ka thënë se shteti nuk gjunjëzohet nga banditët dhe grupet kriminale.
“Shteti nuk gjunjëzohet nga banditët e as nga grupet kriminale edhe atëherë kur grupe të mirëorganizuara e mbështetura nga Qeveria e Serbisë synojnë terrorizimin e qytetarëve, cënimin e integritetit dhe sovranitetit të vendit tonë. Ky rezultat është falë angazhimit të pandalshëm të secilit që nuk dorëzohet përballë kërcënimeve, shantazheve e sulmeve por besojnë në drejtësi e barazi”, ka thënë ai.
Qeveria e Kosovës ka shtyrë afatin për regjistrim për të gjitha veturat që kanë targa ilegale nga Serbia deri në fund të muajit nëntor.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës vitin e kaluar për ndalim të përdorimit të targave ilegale në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, ishte përcjellë me protesta./teve1.info/