Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, e ka vlerësuar lart Anglinë, por ka thënë se ka besim te ekipi i tij.
Dy skuadrat tashmë kanë kaluar Grupin, po dallimi është që Anglia është kualifikuar direkt në Botërorin e vitit të ardhshëm, ndërsa Shqipëria është në barazh.
Tekniku brazilian së bashku me kapitetin Berat Gjimshti kanë folur para ndeshjes.
“Anglia është një nga favoritet për të fituar Botërorin. Është një ndeshje e vështirë, me një ekip që ka njëzet e një pikë në shtatë ndeshje dhe nuk ka pësuar asnjë gol. Jam krenar për të gjithë lojtarët e mi dhe mendoj se nesër do të bëjmë një ndeshje të mirë”, është shprehur ai.
Sylvinho ka thënë se Anglia është edhe më e fortë se gjashtë muaj më parë, kur e kishte mposhtur Shqipërinë me rezultat 2-0. “Mendoj se Anglia është më e fortë, sepse për Tuchel ishte ndeshja e parë ajo në ‘Wembley’. Mendoj se janë më të fortë se gjashtë muaj më parë. Numrat janë të frikshëm. Por jam i lumtur që do të luajmë kundër një prej skuadrave më të forta. Në nëntëdhjetë minuta shumë gjëra mund të ndodhin në futboll”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, Gjimshiti, është shprehur se skuadra është e përqendruar dhe e gatshme për sfidën.
“Do luajmë si skuadër, do mbrojmë të gjithë. Jemi të përqendruar te e gjithë skuadra e Anglisë, jo vetëm te Harry Kane. Në këto lloj ndeshjesh, me kundërshtarë me kualitet të lartë, mund të mësosh. Nuk po mendojmë për shortin për momentin”, ka thënë ai.










