Nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se data e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ka qenë temë e takimit të sotëm me presidenten në Detyrë të vendit, Vjosa Osmani.
Sipas Tahirit, Osmani është dakorduar që të ketë takime dhe konsultime më të gjata me partitë politike, për të zgjedhur një datë që iu përshtatet afateve kohore lidhur me vendimin e Kushtetueses, njofton Klan Kosova.
”Temë diskutimi ishin zgjedhjet dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që e detyron vendin të shkojë në zgjedhje për 40 ditë”.
”Në çfarëdo situate kur vendimi transferohet tek qytetari, ajo është një festë për të gjithë ne. Kosova ka dëshmuar stabilitet institucional, dhe se din meqë ka organizuar zgjedhje”.
”Ne diskutuam për afatet kushtetuese, Presidentja u dakordua se do të ketë konsultime të gjata dhe pastaj do të caktohet një datë që do të jetë në kornizën e këtyre afateve kohore. Vendimi është qytetar tek populli”.
Pyetur nëse Ramush Haradinaj ka hequr dorë nga posti i presidentit, nënkryetari i AAK-së, tha se një çështje e tillë nuk ishte temë e diskutimit të sotëm, njofton Klan Kosova.
”Kjo nuk ka qenë temë e diskutimit me presidenten”.
”Patëm një takim shumë të mirë. Rrethanat që ka krijuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese, jemi në rrethana të reja – ku do të kemi kandidatët tanë, ofertën tonë për zgjedhje”.