Ilir Tahiri ka kritikuar ashpër deputetët e Anamoravës, duke theksuar se ata nuk janë të aftë të rrëmbejnë asnjë projekt për qytetin e Gjilanit shkruan Radio Star.
Ai ka shprehur zhgënjimin e tij për performancën e tyre, duke thënë se qyteti ka mbetur pa përfitime të rëndësishme për shkak të mungesës së angazhimit dhe aftësisë së deputetëve të rajonit.
Më tej, Tahiri ka shtuar se jo vetëm kjo legjislaturë, por edhe ata që ishin më parë, nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për Anamoravën. Ai ka paralajmëruar se marifetet e secilit deputet do të bëhen të qarta dhe të dukshme për publikun.
“Zgjedhjet po vijnë,” ka thënë Tahiri me ironi, “vazhdoni jepni pleskavica, mbushje dhe vaj.”
Shkrimi i plotë:
Ka 10 vite që i lexoj kërkesat e deputetëve, materialet e seancave dhe kërkesat para aprovimit të buxhetit që bëjnë deputetët. Për të parë me çka merren deputetët e Gjilanit, merrni e lexoni materialet e seancave dhe krahasoni me deputetët e rajoneve të tjera, jo vetëm të kësaj legjislature, por edhe të atyre më përpara; do t’i shihni marifetet e secilit.
Do të shihni se ata kanë pasur mundësi dhe hapësirë, jo vetëm për të ndërtuar urën Gjilan-Prishtinë, por kanë pasur mundësi të sigurojnë mjete për secilën lagje të qytetit dhe të fshatrave, vetëm se ka qenë e nevojshme të kenë vullnet dhe asgjë më shumë.
A keni parë ndonjë deputet, në fillim ose në mes të mandatit, duke shkuar në ndonjë lagje të qytetit apo në ndonjë fshat, ose që është interesuar për kërkesat e qytetarëve apo ndonjë projekt të ndonjë lagjeje të qytetit apo të ndonjë fshati? Unë s’kam parë! Praktika e krijuar me dhënë pleskavica, benzinë edhe mbushje, me shpërndarë vaj, dru, sheqer, 20 euro, 30 euro e 50 euro, e ka sjellë Gjilanin në fund të humnerës.
Më pati rënë në sy gjatë shfletimit të një materiali të një seance, kërkesa e Ganimete Musliut për financimin e rinovimit të një lapidari në një fshat të Drenicës; më vonë e kuptova që ajo kërkesë ishte aprovuar.
Derisa nuk e kisha lexuar atë kërkesë, mendoja se për ato projekte vetëm komuna ka të drejtë të investojë, e jo edhe qeveria. Ujërat e zeza nëpër mes të qytetit dhe rregullimi i impiantit të qytetit, këto dy projekte prioritare për Gjilanin, nuk janë realizuar jo pse qeveritë kanë qenë kundër, por sepse nuk kemi pasur deputetë që para interesave të tyre të vendosin interesat e qytetarëve.
Në fund, të gjithë i kemi parë deputetët e Vetëvendosjes duke votuar kundër rregullimit të impiantit dhe secili prej tyre para votuesve të LVV-së është arsyetuar se ka qenë kërkesë strategjike e partisë (Albin Kurtit) të mos votohet, sepse nëse do të votohej, meritat do t’i shkonin Bedri Hamzës si fitues i donacionit. Edhe në zgjedhjet që po vijnë, vazhdoni votoni për interesa strategjike të Albin Kurtit dhe kandidatët që japin pleskavica, mbushje vaj, pasul, kripë e piper.