I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka mbajtur konferencë për media pas takimit me zëvendëskyeministrin, Besnik Bislimi.
Lajçak u shpreh se takimi i radhës për dialogun Kosovë-Serbi do të jetë në ditët në vijim, pa treguar datën.
“Jam sot në Prishtinë për takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, për t’u përgatitur për takimin e radhës lidhur me negociatat që do të mbahet në Bruksel në ditët në vijim. Kemi folur për agjendën e takimit dhe çështjet që duhet të adresohen”, tha Lajçak.
Gjatë konferencës, emisari i BE-së bëri të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar edhe për hapjen e Urës së Ibrit, i cili tha se ura duhet të hapet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Ndërkohë, Lajçak tha se si lehtësues të dialogut janë duke punuar në implementimin e marrëveshjes.
“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj. Jemi duke punuar në implementim, asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe jemi duke diskutuar edhe me Kosovën edhe me Serbinë se si të përshpejtojmë zbatimin e tyre. Letra është tërhequr. Ka deklarata këtu e atje që nuk ndihmojnë fare, por që marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj e përtej kësaj marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë. Pra, është e vlefshme në të dyja anët”, deklaroi në konferencë për media Lajçak.
Ndërkohë, lidhur me paralajmërimet e serbëve se do të ketë bllokada në kufijtë me Kosovën, Lajçak tha se nuk ka kurrfarë arsyetimi për bllokime.
“E pash shpalljen, shpresoj mos të ketë bllokime. Nuk ka kurrfarë lloj arsye për bllokime, pra duhet të ketë liri të lëvizjes”.