Duboviku, vendlindja e saj, ishte përzgjedhur nga Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz për t’i grumbulluar parinë dhe mbështetësit tjerë të Listës Guxo. Takimi ndodhi para më shumë se tre muajsh, në fillim të verës së vitit 2021, e ndonëse temperaturat në Kosovë ishin ende të ulëta, aty brenda në kullë situata ‘u nxehë’ shumë. Gërvalla takimin e inicioi për ta shuar “zhurmën” dhe kundërshtitë që kishin nisur në atë kohë nga anëtarët e Listës Guxo, të cilët kërkonin që subjekti i krijuar nga Vjosa Osmani të garonte ndaras nga Vetëvendosje në zgjedhjet komunale. Por, gjithçka i shkoi si mos më keq kryediplomates, dhe ministrave të tjerë të Listës Guxo, që u përballen me shumë e shumë akuza nga njerëz të rëndësishëm të këtij grupimi politik. Takimi kishte kulmuar me fjalimin dëshpërues të Donika Gervallës, që të pranishmit i quajti vullnetarë dhe të padenjët për të krijuar me ta subjekt politik. Gazeta Online Reporteri.net ua sjell detajet ekskluzive nga ky takim, me video dhe fotografi nga brenda.
I menduar si një takim për të gjetur zgjidhje, i thirrur në vendlindjen e saj dhe të babait të saj hero Jusuf Gërvalla, për ushtruesen e detyrës së Kryetares së Listës Guxo shkoi si mos me keq.
Donika Gërvalla, në kullat e Gërvallëve të Dubovikut, u akuzua për zhgënjim nga njerëzit të cilët e rritën politikisht atë me mbështetjen e tyre.
Jo vetëm zhgënjim. Pati akuza që mbështetësit dhe koordinatorët e Listës Guxo në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 edhe u ‘tradhtuan’ dhe neglizhuan nga paria e Listës së Vjosa Osmanit. Gjithçka sipas të pranishmeve nisi të shkoi keq me tu zgjedhur kjo e fundit Presidente e vendit.
Krejt këto pretendime i ka thënë në këtë tubim Nasuf Bejta, ish-kandidati për deputet, që më vonë u bë kundërkandidati i Osmanit për President, sa për t’ia mundësuar asaj zgjedhjen shefe të shtetit, siç kërkohet me procedura kushtetuese.
Gazeta Online Reporteri.net e ka siguruar me videon fjalimin e Bejtes në takimin në Dubovik./Reporteri.net