Presidentja Vjosa Osmani, në takimet konsultative që do t’i zhvillojë me partitë politike, do të bëjë thirrje pë kompromis politik dhe për bashëpunim. Kështu ka deklaruar Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidencës.
Sipas tij, presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve.
“Presidentja Osmani, në konsultat që do t’i zhvillojë me partitë politike, do ta potencoj rëndësinë e miratimit të Buxhetit për vitin 2026 si dhe miratimin e Planit të Rritjes, si akte të domosdoshme për stabilitetin institucional dhe funksionimin normal të shtetit si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit. Në këtë kuadër, Presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.”









