Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, priti në një takim Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin Michael Davenport.
Kryesuesi Maloku njoftoi Ambasadorin Davenport me të arriturat dhe avancimin e kapaciteteve profesionale dhe administrative të sistemit prokurorial, duke thënë se OSBE-ja në Kosovë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm përmes mbajtjes së trajnimeve specifike dhe mbështetjes së Këshillin Prokurorial dhe Prokurorit të Shtetit në hartimin e planeve strategjike, objektivave, akteve dhe udhëzuesve praktikë të punës.
Për më tepër, Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, shprehu mirënjohjen e tij edhe për mbështetjen e OSBE-së në hulumtimet dhe monitorimin e rasteve të dhunës në familje, hartimin e raporteve monitoruese dhe hartimin e Strategjisë kundër trafikimit të njerëzve, ku pjesë e këtij autoriteti është Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave dhe Prokurori i Shtetit, si dhe hartimin e procedurave standarde të veprimit për viktimat e trafikimit.
Gjithashtu, Ambasadori Davenport, theksoi vullnetin e tij dhe organizatës që drejton për t’i mbështetur proceset e përbashkëta, në mënyrë që të realizohen synimet dhe të arrihet progresi i nevojshëm për zhvillim e sistemit prokurorial, me ç’rast do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit përmes projekteve të ndryshme, me qëllim të ngritjes së efikasitetit, efektivitetit dhe transparencës së sistemit prokurorial.