Asistent Sekretari i Departamentit të Shtetit, Jim O’Brien, ka pritur sot në Washington dyshen e angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi, Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobarin, Zëvendës Ndihmës Sekretarin që mban edhe detyrën e të dërguarit special për Ballkanin.
Në takim, O’Brien tha se u koordinuan strategjitë për t’i çuar përpara Kosovën dhe Serbinë në dialogun e lehtësuar nga Brukseli.
“Diskutime të rëndësishme me Zëvendës Ndihmës Sekretarin Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak sot. I koordinuam strategjitë për t’i çuar Kosovën dhe Serbinë tutje në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. SHBA-ja fuqishëm mbështet dialogun si rrugë për marrëdhënie paqësore dhe produktive”, tha O’Brien në një postim në X.
Për takimin shkroi edhe Lajçaku, po në platformën X, ku tha se u rikonfirmua bashkëpunimi i shkëlqyeshëm BE-SHBA.
“Kënaqësi të takoja Asistent Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Jim O’Brien dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin Gabriel Escobar, sot në Uashington për të diskutuar rrugën përpara në dialog dhe çështje tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor. U rikonfirmua bashkëpunimi i shkëlqyeshëm BE-ShBA”, tha Lajçaku./Reporteri.net/.