Mediumi prestigjioz britanik, vënien e taksës 100 % nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, e konsideron si goditje, pasi Serbia bllokoi anëtarësiin e Kosovës në Interpol.
Siç shkruan tutje reuters, nga vendimi i Qeverisë u kërkua gjithashtu të ndalohet hyrja e ndonjë malli që nuk e ka adresuar Kosovën me emrin e saj kushtetues, Republika e Kosovës, të cilën Serbia dhe Bosnja nuk e njohin, transmeton gazetametro.net.
“Kjo do të ndalojë çdo tregti midis Serbisë dhe Kosovës”, tha ministri serb i Tregtisë Rasim Ljajiç.
Tutje, sipas shifrave zyrtare, eksportet e Serbisë në Kosovë arritën në 440 milionë euro (502.13 milion dollarë), ndërsa importet arritën në 21 milionë euro (23.97 milionë dollarë).
Eksportet e Bosnjes në Kosovë arritën vitin e kaluar 80 milionë euro (91.22 milionë dollarë).
Dy javë më parë Kosova kishte vënë një taksë 10 për qind të importit për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja. Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Prishtinës që ta ndryshojë këtë vendim.
Reuters, gjithashtu shkruan se Kosova fajësoi Serbinë për dështimin e saj për t’u bashkuar me Interpolin dhe tha se Serbia ishte kundër normalizimit të marrëdhënieve, një çelës për të dy vendet. Bosnja votoi gjithashtu kundër anëtarësimit të Kosovës.