Taksa 100 përqind nuk do të vlejë në përgjithësi për produktet serbe që hyjnë në Kosovë. Këtë taksë të vendosur rreth dy javë nga Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk do të vlejë për donacionet humanitare.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka treguar se, “Donacionet humanitare nuk i nënshtrohet. Sepse vendimi i referohet mallrave komerciale që pretendohet të shiten në Kosovë”.
“Ne i kontrollojmë për mbishkrime. Por donacioni është subjekt tjetër. Do ta shohim se di do të jenë donacionet. Një mall i donacionit nuk del në treg. Nuk pretendohet me u shit”, ka sqaruar ai për Gazetën Express.
Këto diskutime po bëhen pas protestave të shumta të serbëve në veri, dhe shqetësimit të tyre se pas vendimit të Qeverisë për taksë, do të ngelen edhe pa bukë, pa barna e gjëra të tjera.
Ndërkohë dje ministri i shëndetësisë së Serbisë, Zlatibor Loncar, ka thënë se kanë grumbulluar një sasi të konsiderueshme barnash që dëshirojnë t’i dërgojnë në veri të Mitrovicës për të ndihmuar serbët atje.
Ndërsa sot Kisha Ortodokse Serbe, ka grumbulluar diku rreth 25 tonë miell, që do të dërgohen si donacion për serbët të cilët jetojnë në veri të Kosovës.