Përveç mosdhënies së vizës amerikane për kryeministrin Ramush Haradinaj dhe anulimit të vizitës së gjeneralit Timothy Orr në Prishtinë, SHBA-ja ka marrë vendim që t’ia anulojë Qeverisë së Kosovës ftesat për pjesëmarrje në tetë programe në qendrën evropiane për studime të sigurisë “George C. Marshall” në Gjermani.
Këto sanksione ndaj Kosovës po vijnë pas mosdëgjueshmërisë për heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe, shkruan gazeta “Zëri”.
Pavarësisht sanksioneve të SHBA-së karshi Kosovës, të ardhura si pasojë e mospezullimit të taksës, ministri i Tregtisë dhe i Industrisë Endrit Shala ka thënë se tarifa ndaj produkteve serbe do të vazhdojë të mbetet në fuqi.
“Taksa është një vendim i Qeverisë, arsyet pse është vendosur taksa dihen, janë të njohura. Përderisa nuk eliminohen arsyet, të cilat neve si Qeveri e Republikës së Kosovës na kanë shtyrë, na kanë detyruar ta marrim një vendim të tillë, mendoj që kjo masë do të vazhdojë të mbetet në fuqi”, ka deklaruar.
Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pohuar gjatë ditës së djeshme se tarifa në fjalë nuk do të largohet.