Ka dy muaj e gjysmë që kur autoritetet e Prishtinës vendosën taksën prej 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe BeH.
Në këtë periudhë, sipas informatave nga Dhoma e Tregtisë së Serbisë, rreth 90 milionë euro mallra nga Serbia janë plasuar në tregun e Kosovës. Ndërsa sipas mediave të Kosovës, në atë periudhë Serbia humbi rreth 100 milionë euro.
“Nëse marrim parasysh se në nëntor kemi humbur 20 milionë euro, në dhjetor 35 milionë, dhe nëse trendi i dhjetorit vazhdon, do të ishte rreth 90 milionë euro humbje”, tha kreu i Qendrës për bashkëpunim rajonal Aleksandar Radovanoviq. Ai shtoi se ky vlerësim përfshin gjithashtu trendin mesatar të rritjes së shitjeve të mallrave në Kosovë prej tetë për qind që kanë pasur në 10 muajt e parë të vitit 2018.
“Të dhënat janë të tilla që ne nuk mund ta vlerësojmë dëmin përfundimtar për të gjitha kompanitë që operojnë me Kosovën, por sa më shumë që masat të zgjasin, do të jetë më e pafavorshme për biznesmenët tanë, pasi dikush tjetër ka marrë hapësirë. Të gjithë e kemi të qartë se nëse taksat do të mbeten në fuqi, do të jetë vështirë të kthehemi në këtë treg”, tha Radovanoviq për Tanjug.
Ndryshe, Kosova ka vendosur taksën prej dhjetë për qind më 6 nëntor për mallrat nga Serbia dhe më pas i ka ngritur ato nga 21 nëntori në 100 për qind.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përsëritur disa herë se taksa do të hiqet në momentin kur Serbia të njohë shtetin e Kosovës.