Të drejtat e grave mbeten një nga sfidat kryesore për zhvillimin e shoqërisë së Kosovës, në veçanti në lidhje me të drejtën e tyre për ta trashëguar pronën dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë në ekonomi. Ligjet e Kosovës garantojnë të drejtat e barabarta për burrat dhe gratë në Kosovë, por ndikimi i kulturës, traditës, kushtet ekonomike dhe niveli i arsimimit kanë ndikuar kundër arritjes së barazisë së paraparë me ligj.
Edhe pse të barabartë para ligjit, si rezultat i mentalitetit tradicional shumë gra në Kosovë ende nuk e trashëgojnë pronën. Madje, të shpeshta janë rastet kur ato heqin dorë në mënyrë vullnetare nga hisja familjare, duke ua lanë mundësinë që këtë pasuri ta gëzojnë anëtarë të tjerë të familjes.
Qasja në të drejtat pronësore dhe trashëgimi pronësinë e pronës janë dy nga faktorët e shumtë të përdorur për të treguar nivelin e barazisë së grave në një shoqëri. Në këtë kontekst, vazhdojnë të ndjejnë rëndë peshën e kulturës dhe traditës qoftë edhe nëpërmjet qëndrimeve personale, sipas të cilave burrat janë ata, të cilët duhet ta bartin barrën e përgjegjësisë pasurore.
Në Kosovë shpeshherë thuhet se gratë janë “fajtore” për pozitën e tyre. Megjithatë, kur merret parasysh fakti se koncepti “gjini” nënkupton determinim socio – kulturor, lë të nënkuptohet se qëndrimet e burrave dhe grave ndërtohen në ritëm të njëjtë sa i përket roleve të tyre. Prandaj, nuk është për t`u habitur nëse vetë gratë nuk duan që të trashëgojnë pronësinë edhe pse e garantuar më ligj dhe me konventat ndërkombëtare për arritjen e barazisë gjinore.
Andaj, pengesat qendrore të identifikuara për të ndryshuar këtë konstrukt kulturor janë:
Zbatimi i dobët i ligjeve;
Mungesa e vetëdijes se ligjet ekzistojnë dhe të kuptuarit e pamjaftueshme e opsioneve për kompensim ligjor dhe zgjidhja të kontesteve;
E Drejta e Trashëgimisë Pronësore të Grave në Kosovë
Përhapja e qëndrimeve tradicionale dhe praktikave, shumë prej të cilave drejtpërdrejt në kundërshtim me ligjet statutore dhe të drejtat e themelore civile.
Kësisoj, “Në shumë familje shqiptare anembanë Kosovës (veçanërisht ato që janë të varfra ose nga zonat rurale), gratë nuk trashëgojnë pronë kur u vdesin baballarët ose burrat. Në shumicën e rasteve, në mungesë të vëllait ose djalit, prona i jepet mashkullit më të afërt të personit të ndjerë”.
Përkundër disa të arriturave, gratë në Kosovë vazhdojnë të jenë në një pozitë të pabarabartë në shumë sfera të jetës pikërisht duke u nisur nga mos realizimi i të drejtës së trashëgimisë pronësore. Prandaj, “Gratë, përbëjnë pjesën më të varfër të shoqërisë sonë. Varfëria në Kosovë ka arritur shkallën në mbi 40 për qind, ndërkohë që brenda kësaj shifre 70 për qind e grave janë të papuna, ndaj kjo e vështirëson dukshëm pjesëmarrjen e gruas në jetën publike”
Arta Haziri Nuhiu ,Asambleiste në radhët e Aak
Të drejtat e grave mbeten një nga sfidat kryesore për zhvillimin e shoqërisë së Kosovës
Ndani këtë artikull