Autoritetet policore në një raport shtesë, pas informacionit se janë arrestuar të dyshuarit për një rast të vjedhjes së rëndë, (Arrestohen të dyshuarit që vodhën në një shtëpi, pajisje elektronike, stoli ari dhe veshmbathje) kanë bërë me dije se e dyshuara akuzohet për së paku dy raste: “Vjedhje e rëndë’’ dhe “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë’’ si dhe bashkëshorti i saj po ashtu akuzohet për rastin “Vjedhje e rëndë’’
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se më 08 korrik. 2018, në cilësinë e të dëmtuarës, tani e dyshuara M. Shabani (1992), ka raportuar në policinë e Kosovës në Gjilan rastin “Lëndim i rëndë trupore’’ duke akuzuar dy persona se gjoja e kanë sulmuar fizikisht duke e goditur me mjete të forta si thikë dhe shufër metali.
Hashani ka thënë tutje se më 19 korrik 2018, policia e Kosovës, njësitet e hetimeve nga stacioni policor i Gjilanit, përmes rrugëve operative kanë ardhur deri te informatat e qëndrueshme se ankuesja mundë të ketë deklaruar rrejshëm.
Me vendim të prokurorit të shtetit është realizuar një bastisje në shtëpinë e të dyshuarës M. Shabani ku janë gjetur dhe konfiskuar gjësende të ndryshme si: një TV-Plazma ,,Samsung’’, një resever me të gjitha pajisjet përcjellëse, pesë jastëk të ndryshëm ortopedik, rroba, jelek të nusërisë, bizhuteri të ndryshme duke përfshirë: zinxhir qafe, unaza, byzylyk për duar etj, këpucë për femra, peshqirë te ndryshëm, mbulesa për shtretër, disa gjësende tjera si katër valixhe, çanta krahu për femra, etj.
Të gjitha këto dëshmi janë identifikuar nga viktima e rastit dhe mbeten ti kthehen pronarit legjitim.
“E dyshuara M. Shabani akuzohet për së paku dy rastet “Vjedhje e rëndë’’ dhe “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë’’ dhe bashkëshorti i saj F. Shabani (1983), po ashtu akuzohet për rastin “Vjedhje e rëndë’,’ në bashkëveprim me gruan e vet, që të dy janë intervistuar në cilësi të dyshimtëve, konform kodit dhe procedurave ligjore. Me vendim të lëshuar nga prokurori i shtetit që të dy ndalohen për 48 ore”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore.
Përndryshe, Hashani tha se Policia e Kosovës është e përkushtuar për ruajtje të rendit dhe ligjit, po ashtu jemi shumë të përkushtuar që ta mbrojmë pronën dhe pasurin e qytetarëve tanë.
“Policia e Kosovës në Gjilan në vazhdimësi e përsërit Apelin për të gjithë qytetarët që me rastin e largimit të tyre nga shtëpitë, qoftë kur shkojnë në pushime jashtë vendit apo dasma dhe ahengje të ndryshme familjare, të sigurojnë pronën dhe pasurinë e tyre , por edhe të mos bëjnë postime në rrjetet sociale për vendndodhjen e tyre, sepse nga praktikat e deri tanishme është vërejtur se kryerësit e veprave penale të vjedhjeve duke besuar se në shtëpi nuk ndodhet as kush dhe këto shtëpi dhe pasuri lehtë mundë të jenë cak i vjedhjeve, gjithnjë kanë vepruar duke u informuar apo bazuar në këto foto apo postime të cilët familjarët i kanë bërë”, ka thënë Hashani.