Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar qytetarët e Kosovës se të gjitha rrugët janë të kalueshme për qarkullim të automjeteve.
Në një njoftim për media, nga MI-ja kanë bërë të ditur se përkundër reshjeve të pandërprera të borës dhe temperaturave të ulëta, kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtje të rrugëve në kompetencë të MI-së në vazhdimësi janë duke pastruar rrugët nga bora dhe duke parandaluar ngricat e mundshme me hedhje të kripës.
“Me 14 kompani të kontraktuara për 7 regjionet e Republikës së Kosovës dhe 4 për autostradat ka në përgjegjësi mirëmbajtjen e rrugëve rajonale, magjistrale, nacionale e autostradat dhe jo rrugët komunale. Ministria është e gatshme që të ndihmojë secilën komunë në rast të pranimit të kërkesave zyrtare”, thuhet në njoftimin e MI-së.
Ministria e Infrastrukturës bën thirrje për të gjithë vozitësit që t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së makinave, me qëllim të parandalimit të aksidenteve të mundshme në trafikun rrugor.